
Fyerjet ndaj presidentit dhe thirrjet për të mbledhur qytetarët në demonstrata kundër qeverisë u bënë shkak të dielën që kreu i opozitës turke të merret nën hetim nga kryeprokurori i Turqisë.
Ozgur Ozel, kreu i Partisë Republikane Popullore (CHP), i bëri deklaratat të shtunën si reagim ndaj arrestimeve të tre kryebashkiakëve nga partia e tij.
“Fjalët e thëna nga kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, në konferencën për shtyp pas takimit të komitetit ekzekutiv, më 5 korrik, përbëjnë shkelje, ku përfshihen fyerja e presidentit [Recep Tayyip Erdogan], duke inkurajuar hapur kryerjen e një krimi, dhe fyerje e kërcënim ndaj zyrtarëve publikë,” thuhet në deklaratën e prokurorit.
Ozel në deklaratën e fundjavës dënoi arrestimet e kryebashkiakëve të Antaljes, Adanës dhe Adijamanit, si dhe të një zëvendëskryebashkiaku, të cilët akuzohen për manipulime me tenderat dhe korrupsion. Në muajin mars u arrestua edhe kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, të cilin CHP-ja do ta kandidojë për president në zgjedhjet e vitit 2028.
“Të gjithë do e kenë vendin e tyre në histori. Nga njëra anë janë ata që mbrojnë kutinë e votimit dhe nga ana tjetër ata që i dorëzohen [Erdoganit] dhe frikërave të tij. Ju po u merrni të drejtën e tyre të votës, po u merrni kryebashkiakët që ata zgjodhën, po fusni në burg presidentin e ardhshëm. Ju keni frikë nga tubimet dhe demonstratat, ndaj sa herë që thërras qytetarët në shesh, ju menjëherë merrni masa të ashpra sigurie për t’i ndaluar ato. Demonstratat janë demokraci. Unë e di që një ditë do e mbledh popullin në rrugë. Mos më bëni të mbledh popullin në rrugë,” deklaroi Ozel para gazetarëve përpara se prokurori të njoftonte nisjen e hetimeve.
Partia Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Erdogan i quajti deklaratat e kryeopozitarit një kërcënim ndaj demokracisë.
Në muajin nëntor, z. Erdogan ngriti një padi ndaj z. Ozel për “fyerje publike të presidentit” dhe për “kryerjen e një krimi kundër reputacionit dhe nderit të presidencës”. Një tjetër padi e muajit shkurt ngre dyshime për pozitën e kryetarit të CHP-së, duke pretenduar se z. Ozel bleu votat për t’u zgjedhur nga kongresi i partisë së tij në vitin 2023. Muajin e kaluar, prokurorët nisën një tjetër hetim për fyerje ndaj kryeprokurorit të Stambollit dhe për “kërcënime ndaj gjyqësorit”.
Mediet lokale raportojnë se mund të ketë përpjekje për të hequr imunitetin parlamentar të z. Ozel, që do e linte atë të ekspozuar ndaj dënimit me burg për një tjetër rast të “fyerjes së një zyrtari publik”. /AFP



