
Dy kongresmenë republikanë amerikanë, Andy Ogles dhe Marlin Stutzman, propozojnë presidentin e SHBA-së Donald Trump për Çmimin Nobel të Paqes 2025. Në letrën e tyre drejtuar sot Komitetit të Nobelit, ata e cilësojnë Trump si një udhëheqës që ka ulur konfliktet globale, ka ndërmjetësuar marrëveshje paqeje dhe ka hapur rrugë dialogu mes palëve në konflikt.
Nomimi thekson takimin e Trump me presidentin rus Vladimir Putin në Alaska dhe takimin me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe liderët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ku ai premtoi mbështetje për sigurinë e Ukrainës dhe ndërmjetësim për një takim të ardhshëm mes Putinit dhe Zelenskyt.
“Me respekt paraqesim këtë nominim të Presidentit Donald J. Trump për Çmimin Nobel të Paqes, në vlerësim të kontributit të tij konkret për vëllazërinë ndërkombëtare, udhëheqjes së tij në uljen e konflikteve dhe rrezikut të luftës, si dhe përkushtimit për të nxitur dialogun si rrugë drejt pajtimit,” shkruajnë Ogles dhe Stutzman.
“Udhëheqja e tij vendimtare në arritjen e marrëveshjeve historike diplomatike, në uljen e konflikteve globale dhe në ndjekjen aktive të zgjidhjeve paqësore për disa nga mosmarrëveshjet më të vjetra të botës ka sjellë dhe vazhdon të sjellë një botë më paqësore.”
Në letrën e tyre drejtuar Komitetit të Nobelit, republikanët nënvizuan rolin e Trump në organizimin e samitit me Presidentin Vladimir Putin në Alaskë më 15 gusht 2025, të fokusuar në gjetjen e një rruge drejt armëpushimit në Ukrainë, shkëmbimit të të burgosurve, hapjes së korridoreve humanitare dhe marrëveshjeve të ardhshme të sigurisë – një hap i rëndësishëm drejt rihapjes së dialogut të drejtpërdrejtë e konstruktiv.”



