
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas tha se sulmi i fundit rus ndaj Kievit dëshmon qartë se presidenti rus Vlladimir Putin pon “tall çdo përpjekje për paqe”. Komentet e saj erdhën një ditë pas bombardimit rus të Kievit, ku u vranë të paktën 21 persona dhe u plagosën 48 të tjerë.
“Pamë dje sulmet masive mbi Kievin. Gjithashtu, u godit edhe një delegacion europian. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua fizikisht, por megjithatë, dua të them, këto sulme tregojnë se Putini thjesht po tallet me çdo lloj përpjekjeje për paqe”, tha Kaja Kallas, Shefe e diplomacisë evropiane.
Kallas tha se BE-ja duhet të shtojë presionin ndaj Rusisë. Shefja e diplomacisë evropiane foli nga Kopenhaga, ndërsa ministrat e mbrojtjes të BE-së zhvillojnë takim joformal mbi zhvillimet e fundit dhe planet për të ndihmuar Ukrainën.Bombardimi me dronë dhe raketa ishte sulmi i parë i madh rus ndaj Kievit pas disa javësh, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për paqe, për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, vazhdojnë të hasin vështirësi.
Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, e ka cilësuar sulmin e Rusisë me raketa dhe dronë në Kiev si goditje ndaj presidentit amerikan, Donald Tramp.
“Ky sulm tregon qartë se synimet e Rusisë realisht nuk kanë ndryshuar. Ata duan të luftojnë dhe po godasin jo vetëm popullin tonë, jo vetëm qytetet dhe komunitetet tona, Rusia tani po godet të gjithë në botë që kërkojnë paqe. Ky është një sulm ndaj Ukrainës, një sulm ndaj Europës, ky është gjithashtu sulm i Rusisë ndaj presidentit Tramp, ndaj aktorëve të tjerë globalë”, deklaroi Vollodimir Zelenski, President i Ukrainës.
Liderët evropianë, amerikanë dhe të OKB-së e dënuan sulmin rus kundër Kievit, ndërsa Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian thirrën diplomatët rusë për ta shprehur pakënaqësinë e tyre./Alsat.mk



