
Teksa armëpushimi në Gazë vazhdon, forcat e sigurisë së Hamasit janë rikthyer në rrugë, janë përleshur me grupe të armatosura dhe kanë vrarë persona të dyshuar për lidhje me Izraelin.
Grupi militant e quan këtë një përpjekje për të rivendosur ligjin dhe rendin në zonat ku trupat izraelite janë tërhequr.
Kanalet e Telegramit, të lidhura me Hamasin, kanë thënë se organizata ka pasur cak “bashkëpunëtorët dhe tradhtarët” që kanë punuar me Izraelin. Forca e sigurisë e Hamasit, Sahm, ka publikuar pamje që tregojnë teksa i ekzekuton tetë njerëz në rrugë. Aty është thënë se të ndaluarit kanë qenë gangsterë.
Shfaqja e forcës, e mirëpritur nga disa palestinezë pas muajsh paligjshmërie, mund të kërcënojë armëpushimin tani që të gjithë pengjet e gjalla të marra në sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023 janë liruar.



