LajmeRajon

Sveçla: Kemi lëshuar mbi 1 mijë dokumente për hyrje-dalje

Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, deri në mesditën e 1 gushtit, janë lëshuar 1.501 dokumente për hyrje-dalje për qytetarët me shtetësi të Serbisë.

Kështu bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili shtoi se pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës – Jarinjë dhe Bërnjak – vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Nga 1 gushti, Kosova ka nisur të lëshojë dokumente për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë. Këtë praktikë Serbia e aplikon qe 11 vjet për shtetasit e Kosovës.

Ky vendim, por edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – nxitën serbët lokalë që të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës.

Barrikadat nga fshati Rudarë janë hequr, por ende ka barrikada në rrugën që çon për në Jarinjë.

Qeveria e Kosovës është zotuar se zbatimi i dy vendimeve, për dokumentet dhe targat, do të shtyhet për 30 ditë në momentin që hiqen të gjitha barrikadat në veri të Kosovës.

Shfaq më shumë

NGA kategoria

Back to top button
Globi.mk