
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara mblodhën informacione që tregonin se zyrtarë izraelitë kanë diskutuar mënyrën se si ushtarët e tyre kishin dërguar palestinezë në tunelet nëntokësore në Rripin e Gazës, për të hetuar nëse ato ishin të minuara me eksplozivë. Të paktën kështu shkruan L’Orient Le Jour, duke iu referuar dëshmisë së dy ish-zyrtarëve amerikanë të njohur me çështjen.
Ky informacion sipas ish-zyrtarëve të përmendur, iu përcoll Shtëpisë së Bardhë dhe u analizua nga komuniteti i inteligjencës në javët e fundit të administratës së presidentit Joe Biden.
E drejta ndërkombëtare ndalon rreptësisht përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore gjatë operacioneve ushtarake. Brenda administratës Biden, disa zyrtarë kishin shprehur prej kohësh shqetësime për raportet mediatike që sugjeronin se ushtarë izraelitë mund të përdornin palestinezë për t’u mbrojtur gjatë operacioneve në Gaza. Mbledhja e provave nga Washington-i për këtë çështje nuk ishte bërë e njohur më parë.
Të burgosur apo civilë?
Të dhënat e inteligjencës amerikane, të mbledhura në muajt e fundit të vitit 2024, ngritën pyetje në Shtëpinë e Bardhë dhe komunitetin e inteligjencës për shkallën e përdorimit të kësaj taktike dhe nëse ushtarët izraelitë vepronin me urdhër nga komandantët e tyre. Zyrtarët që folën në kushte anonimiteti nuk specifikuan nëse palestinezët e përmendur ishin të burgosur apo civilë.
Nuk dihet nëse administrata Biden e kishte ngritur këtë çështje me qeverinë izraelite. Ish-zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, as CIA.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se “ndalon përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore ose detyrimin e tyre të marrin pjesë në operacione ushtarake në çfarëdo lloj forme”. Policia ushtarake izraelite ka hapur një hetim për “dyshime që përfshijnë palestinezë në misione ushtarake”. Qeveria izraelite nuk komentoi mbi diskutimet e mundshme me SHBA-të.
Ndërkohë, disa media kanë raportuar se Hamasi po përdor civilët si mburoja njerëzore, duke vendosur luftëtarët e tij në ndërtesa civile si spitale, akuza që grupi palestinez i ka mohuar. Sipas autoriteteve izraelite, më 7 tetor 2023, militantët e Hamasit rrëmbyen 251 pengje dhe vranë 1 mijë e 200 persona, ndërsa ofensiva izraelite hakmarrëse ka vrarë afro 69 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.
A ka përfshirje amerikane?
Informacionet për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore ishin pjesë e disa raporteve që qarkullonin në javët e fundit të administratës Biden. Në të njëjtën periudhë, inteligjenca amerikane analizonte dokumente që zbulonin diskutime të brendshme në Izrael për mënyrën se si po drejtohej fushata ushtarake në Gaza.
Javën e kaluar, Reuters raportoi se administrata Biden kishte gjithashtu prova që tregonin se disa juristë izraelitë kishin paralajmëruar për rrezikun që veprimet e Izraelit në Gaza mund të interpretoheshin si krime lufte.
Këto informacione, sipas ish-zyrtarëve amerikanë, shkaktuan shqetësim të madh brenda administratës, pasi mund të mbështesnin akuzat se Izraeli kishte kryer krime lufte. Nëse një gjë e tillë do të provohej, Shtetet e Bashkuara mund të akuzoheshin për bashkëpërgjegjësi, duke qenë se kanë furnizuar ushtrinë izraelite me armë.
Megjithatë, në javët e fundit të mandatit të Biden-it, ekipe ligjore të disa agjencive amerikane konkluduan se provat në dispozicion nuk tregonin se Izraeli kishte kryer krime lufte, gjë që i lejoi SHBA-ve të vazhdonin mbështetjen logjistike dhe ushtarake ndaj aleatit të tyre.
Sipas disa ish-zyrtarëve, raportet përshkruanin vetëm disa incidente të izoluara në Gaza, jo një praktikë apo politikë të qëndrueshme të ushtrisë izraelite.
/tvklan.al



