
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, beson se në takimin e të martës pasdite mes të dërguarve amerikanë Stiv Witkoff dhe Jared Kushner në Moskë me presidentin Vladimir Putin pati përparim drejt qëllimit për fundin e luftës në Ukrainë përmes planit të paqes të Donald Trumpit.
“Besoj se është e mundur t’i jepet fund luftës në një mënyrë që të jetë e pranueshme nga të dyja palët, që të mbrohet e ardhmja e Ukrainës. Këtë po përpiqemi të bëjmë dhe kemi përparuar në këtë drejtim”.
Megjithatë, në një intervistë televizive, Rubio tha se shihte vetëm një pengesë.
“Vendimet, në rastin e Rusisë, merren vetëm nga Putin, jo nga këshilltarët. Vetëm Putin mund ta ndalë këtë luftë nga ana ruse”.
Pala ruse mohoi se bisedimet e të martës e afruan paqen.
“Jo shumë, kjo është e sigurtë. Disa nga propozimet ishin të papranueshme, por puna do të vazhdojë”.
Palët sërish nuk dhanë detaje për pikat e mosmarrëveshjeve, por duket se ato lidhen me lëshimet territoriale që Ukraina duhet t’u bëjë rusëve.
Pas takimit, shefi i Kremlinit akuzoi europianët se po përpiqen të minojnë përpjekjet e Trampit për paqe, duke ndërhyrë në planin e tij. Putin tha se ishte gati për luftë, nëse Europa kërkon konflikt të drejtpërdrejtë me Moskën.



