
Shkollat në disa pjesë të Kamboxhias dhe Tajlandës u mbyllën të hënën, ndërsa përplasjet e armatosura përgjatë kufirit mes dy vendeve vazhdojnë, duke e çuar numrin e viktimave në të paktën 40 dhe duke detyruar qindra mijëra njerëz të zhvendosen.
Ministria e Arsimit e Kamboxhias njoftoi se luftimet kanë çuar në mbylljen e 1.039 shkollave në gjashtë provinca, duke prekur rreth 243 mijë nxënës dhe afro 9.800 mësues. Ndërkohë, Ministria e Brendshme bëri të ditur se dy civilë të tjerë janë vrarë, duke e çuar numrin e viktimave civile në 15, ndërsa 73 persona janë plagosur. Autoritetet kamboxhiane akuzojnë Tajlandën se ka kryer sulme ajrore me avionë luftarakë F-16 brenda territorit të Kamboxhias, sipas Anadolu.
Nga ana tjetër, Tajlanda raportoi se në përplasjet janë vrarë 16 ushtarë dhe nëntë civilë, ndërsa mbi 600 shkolla dhe spitale janë mbyllur. Autoritetet tajlandeze konfirmuan se forcat ajrore kanë kryer sulme ndaj pozicioneve ushtarake kamboxhiane, ndërsa luftimet e ashpra vazhdojnë përgjatë zonave kufitare.
Kina shprehu shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje maksimale, të ndalojnë luftimet dhe të mbrojnë civilët.
Sipas zyrtarëve dhe mediave lokale, rreth 700 mijë persona janë zhvendosur në të dy anët e kufirit që nga intensifikimi i përplasjeve javën e kaluar. Përplasjet vazhdojnë pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se liderët e dy vendeve ishin pajtuar për ndalimin e luftimeve.
Tajlanda dhe Kamboxhia kanë një mosmarrëveshje të gjatë kufitare, e cila ka shpërthyer disa herë në dhunë, përfshirë edhe përplasjet e fundit ku dhjetëra persona kanë humbur jetën.



