
Për shkak të një stuhie të fuqishme dimërore, sot në gjithë verilindjen e SHBA-së janë mbyllur shkollat, është ndërprerë transporti publik dhe janë anuluar mijëra fluturime ajrore, ndërsa banorët e kësaj zone janë paralajmëruar për reshje të dendura bore, erëra të forta dhe kushte të rrezikshme për udhëtim, njoftuan autoritetet lokale.
Shërbimi Postar i SHBA-së bëri të ditur se stuhia në verilindje të vendit, nga Uashingtoni deri në Nju Angli, mund të ngadalësojë përpunimin, transportin dhe shpërndarjen e postës dhe pakove.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Zoharan Mamdani, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në qytet. Nju Jorku, që është edhe distrikti më i madh shkollor në SHBA, urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave publike për shkak të motit të keq; sot nuk do të ketë as mësim online dhe të gjitha aktivitetet jashtëshkollore janë anuluar.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Keti Hoçul, tha se ka aktivizuar 100 pjesëtarë të Gardës Kombëtare për të ndihmuar në Long Ajland, në Nju Jork dhe në Luginën e Poshtme të Hadsonit – zona që pritet të përballen me reshjet më të mëdha të borës dhe erërat bregdetare.
Për shkak të stuhisë sot është mbyllur edhe kompleksi i selisë së Kombeve të Bashkuara në Manhatan.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, në verilindje të SHBA-së priten deri në 60 centimetra borë, ndërsa shpejtësia e erës mund të arrijë deri në 110 kilometra në orë, gjë që rrit rrezikun nga rrëzimi i pemëve dhe ndërprerjet e energjisë elektrike, sipas të dhënave të Ministrisë së Sigurisë Kombëtare.
Guvernatorja e Masaçusetsit, Mora Hili, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në këtë shtet, ndërsa Konektikati ndaloi qarkullimin e automjeteve komerciale në autostradat me qasje të kufizuar, me përjashtim të dërgesave emergjente dhe të domosdoshme.
Guvernatorja e Nju Xhersit, Miki Sheril, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë shtetin dhe u bëri thirrje banorëve ta marrin seriozisht motin e keq.
Sipas faqes për ndjekjen e fluturimeve FlightAware, për shkak të stuhisë dimërore sot janë anuluar më shumë se 5.000 fluturime, ndërsa anulime janë paralajmëruar edhe për nesër, veçanërisht në aeroportet kryesore të verilindjes së SHBA-së.
Për shkak të stuhisë, kompania e transportit urban “New York Transit” që nga dje ka ndërprerë qarkullimin e autobusëve dhe të trenave të lehtë në të gjithë shtetin, ndërsa në Nju Angli, Autoriteti i Transportit Publik të Rod Ajlendit njoftoi se do të ndërpresë të gjitha shërbimet derisa kushtet e motit të përmirësohen.
Paralajmërime për stuhi dimërore janë lëshuar për Nju Jorkun, Long Ajlandin, Bostonin, si dhe për komunitetet bregdetare në Nju Xhersi, Konektikat, Delauer, Merilend, Rod Ajlend dhe Masaçusets.



