Qeveria holandeze ka shpallur të mërkurën mungesë kombëtare të ujit shkaktuar nga i nxehti, vera e thatë që po e përshkon pjesën më të madhe të Evropës, dhe ka formuar një ekip kombëtar për të ndërmarrë masa për të menaxhuar furnizimet.
Qeveria i ka bërë thirrje popullit që të kursejë ujin, raportoi AP-ja.
“Mungesa e ujit tashmë po ndikon negativisht në veçanti në bujqësi”, ka thënë ministri i Infrastrukturës dhe Menaxhimit të Ujit, Mark Harbers.
Ai u bëri thirrje njerëzve “që të mendojnë me kujdes nëse duhet të lajnë veturat ose të mbushin pishinat. Holanda është një shtet ujor, por uji ynë është i çmuar”.
Shumë pak reshje kanë rënë në Holandë gjatë verës, dhe thatësira në veri dhe lindje të Evropës do të thotë më pak ujë në lumenjtë e vendit.
Qeveria tha se furnizimet me ujë të pijshëm nuk janë të kërcënuar dhe tha se masat ende nuk janë të domosdoshme, por mund të jenë “në javët në vazhdim”.
© KOHA.