
Rritja e konsumit të pijeve energjike të ëmbëlsuara me sheqer po konsiderohet një nga faktorët kryesorë që po ndikon në shtimin e rasteve të mbipeshës dhe obezitetit në mbarë botën. Ekspertët paralajmërojnë se këto probleme shëndetësore janë kthyer në një kërcënim serioz jo vetëm për vendet e pasura, por edhe për ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme, veçanërisht në zonat urbane.
Mbipesha dhe obeziteti janë faktorë kryesorë rreziku për një numër sëmundjesh jo të transmetueshme, duke përfshirë diabetin, sëmundjet kardiovaskulare dhe lloje të caktuara të kancerit. Konsumi i pijeve të ëmbëlsuara me sheqer është i lartë në shumë pjesë të botës dhe sugjeron cilësi të dobët dietike, pasi pijet e ëmbëlsuara me sheqer përmbajnë sheqerna si saharoza ose fruktoza, shpesh në sasi të mëdha, të cilat kontribuojnë në dendësinë e përgjithshme të energjisë së dietave.
Kaloritë e ofruara nga pijet e ëmbëlsuara me sheqer kanë pak vlerë ushqyese dhe nuk ofrojnë të njëjtën ndjesi ngopjeje që ofron ushqimi. Si rezultat, marrja totale e energjisë mund të rritet, gjë që mund të çojë në shtim të pashëndetshëm në peshë. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë sugjerojnë përdorim të kufizuar, ose eliminim total të këtyre pijeve dhe ndalimin e tyre kategorit te fëmijët, pasi përveç dëmit që shkaktojnë në shëndet mund të krijojnë edhe varësi.



