BotaLajme

Talebanët konfirmuan se lideri i Al-Qaedas u vra në Kabul

Autoritetet talebane në Afganistan kanë konfirmuar se lideri i Al-Qaedas, Ayman al-Zawahiri u vra në Kabul të dielën nga një raketë e lëshuar nga një dron.

Një zyrtar i paidentifikuar taleban njoftoi më herët sot se do të hetonte “pretendimet e SHBA” se lideri i Al-Qaedas Al-Zawahiri u vra në një sulm me dron amerikan në Kabul dhe tha se udhëheqja e organizatës nuk ishte në dijeni të vendndodhjes së tij në kohën e sulmit, raporton AP.

Zyrtarët amerikanë, megjithatë, pohojnë se Al-Zawahri po qëndronte në shtëpinë e ndihmësit të lartë të liderit të lartë taleban Sirajuddin Haqqani, i cili është zëvendës komandanti i parë i talebanëve, shërben si ministër i brendshëm në qeverinë afgane dhe kryeson rrjetin Haqqani – organizata më e fuqishme brenda lëvizjes talebane.

Rrjeti Haqqani është një grup kryengritës islamik afgan i ndërtuar rreth familjes me të njëjtin emër.

Gjatë viteve 1980, grupi luftoi kundër forcave sovjetike dhe gjatë 20 viteve të fundit kundër trupave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA dhe ish-qeveria e Afganistanit.

Qeveria amerikane ka shpallur një shpërblim për arrestimin e Haqqanit në shumën prej dhjetë milionë dollarësh për sulmet ndaj trupave amerikane dhe civilëve afganë.

Zawahiri, një nga terroristët më të kërkuar në botë, luajti një rol kyç në sulmet në Nju Jork dhe Uashington më 11 shtator 2001, së bashku me themeluesin e Al-Qaedas, Osama bin Laden, i cili u vra nga forcat amerikane në Pakistani në 2011.

Sipas agjencisë amerikane, talebanët u zotuan në marrëveshjen e Dohas të vitit 2020 me SHBA-në që të mos ofrojnë strehim për anëtarët e Al-Qaedas ose ata që duan të sulmojnë SHBA-në. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button