BotaLajme

Rusia kërkon 9.5 vjet burgim për basketbollisten amerikane

Basketbollistja amerikane, Brittney Griner, tha se ka bërë “gabim pa dashje” duke bartur vaj të kanabisit në valixhen e saj kur hyri në territorin e Rusisë. Ndërkaq, prokurorët rusë kanë kërkuar nga gjykata që ta dënojë atë me nëntë vjet e gjysmë burgim nën akuza për kontrabandë të drogës.

Gjatë adresimit final para një gjykate ruse më 4 gusht, kampionia e dyfishtë olimpike tha se ajo nuk kishte dashur që ta shkelte ligjin dhe se prindërit e kishin mësuar që të marrë përgjegjësi për veprimet e saj.

Avokati i basketbollistes ka kërkuar nga gjykata një dënim më të butë.

“Unë nuk kam planifikuar që ta kryej këtë krim”, tha Griner.

“Nuk kam dashur që ta lëndoj askënd, të vë në rrezik popullatë ruse, të shkel ligjet”, tha basketbollistja, duke shtuar se shpreson që politika nuk do të ketë rol në vendimin e gjykatës.

Griner gjendet në paraburgim në Rusi qëkur autoritetet i gjetën vaj të kanabisit në valixhen e saj, teksa ajo po kalonte përmes aeroportit Sheremetyevo të Moskës në shkurt.

Kanabisi është ilegal në Rusi dhe ndalohet përdorimi edhe për çështje mjekësore, por edhe për rekreacion.

Rasti i basketbollistes ka përkeqësuar raportet midis SHBA-së dhe Rusisë dhe presidenti amerikan, Joe Biden, është vënë nën presion që të reagojë për rastin e saj, por edhe për rastin e ish-marinsit amerikan, Paul Whealan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 29 korrik bisedoi në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për mundësinë e këmbimit të të burgosurve, përfshirë Griner dhe rusin Viktor Bout.

Show More

Related Articles

Back to top button