Stërvitjet ushtarake të Kinës në gjashtë lokacione përreth Tajvanit, të cilat u nisën pasi Nancy Pelosi mbërriti në Taipei, janë në lëvizje të plotë, me të dyja palët që kanë njoftuar aktivitete ushtarake.
Mediat shtetërore në Kinë bënë të ditur se ushtria e këtij vendi po ndërmerr aktivitete në det, por edhe në ajër pranë Tajvanit, ku do të vendoset kontrolli deri në fund të goditjes së objektivave me raketa.
CGTN e Kinës ka publikuar edhe një video ku thuhet se ushtria kineze ka kryer ushtrime të qitjes me raketa balistike dhe se raketat kanë goditur me saktësi objektivat pranë bregut lindor të Tajvanit.
Kur bëhet fjalë për aktivitetet ajrore, Ushtria Popullore Çlirimtare e Kinës tha se ka vendosur më shumë se 100 aeroplanë luftarakë, bombardues dhe lloje të tjera avionësh luftarakë në hapësirën ajrore veriore, jugperëndimore dhe juglindore pranë Tajvanit.
Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit foli edhe për aktivitetet ushtarake të Kinës dhe theksoi se si aktivitetet irracionale mund të kërcënojnë paqen.
“Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze lëshoi disa raketa balistike në ujërat tona verilindore dhe jugperëndimore. Ne po monitorojmë situatën dhe sistemet tona të mbrojtjes janë aktivizuar. Ne dënojmë aktivitetet që mund të kërcënojnë paqen rajonale”, thanë ata.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit publikoi një video propagandistike ku tregon aktivitetet e ushtrisë tajvaneze dhe thekson se ajo është e gatshme të mbrojë sovranitetin e këtij territori.
“Ne nuk kërkojmë përshkallëzim, por jemi të përkushtuar ndaj lirisë, demokracisë dhe stabilitetit të mjedisit tonë”, deklaruan ata. /Telegrafi/