LajmeRajon

“Drejtësi për Jonadën”, sërish protestë të hënën

Protesta për Jonadën, vajzën 7-vjeçare e cila u godit nga gomonia që drejtohej nga komisari Arjan Tase, mbrëmë zgjati rreth dy orë, në Tiranë.

Qytetarë, fëmijë, shoqëria civile dhe politikanë të opozitës protestuan fillimisht para Ministrisë së Brendshme nën moton “Nuk e vrau varka, por shteti”, e më pas u zhvendosën para Kryeministrisë dhe në fund tek Presidenca.

Kjo protestë erdhi pas tragjedisë së ndodhur në plazhin e Potamit në Himarë, ku vogëlushja 7-vjeçare, Jonada Avdia, u aksidentua dhe humbi jetën nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase.

Protestuesit i lanë 72 orë kohë kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro. Nëse kjo nuk ndodh, ata lajmërojnë se do të vijojnë me protesta të pandalshme.

Protestës iu janë bashkuan Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dhe deputetë si Lefter Geshtenja, Flamur Hoxha, Luçiano Boci apo Luan Baçi.

Jonada kishte ardhur me pushime me prindërit e saj, të cilët prej më shumë se dy dekadash jetojnë në Angli, ndërsa u përplas nga gomonia në breg të detit.

Me qindra qytetarë iu bashkuan dy ditët e fundit dhimbjes së familjes Avdia, ndërkohë rrjetet sociale kanë përcjellë pa ndarë zemërimin dhe revoltën e madhe për atë tragjedi që i mori jetën vajzës.

Kujtojmë se Prokuroria e Vlorës kundërshtoi qëndrimin dhe referimin e policisë së Vlorës që e dorëzoi komisarin Arjan Tase për akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Sipas burimeve të sigurta të gazetares Anila Hoxha, prokurorja Eranda Laze dorëzoi në gjykatë ish shefin e polcisë Arjan Tase për akuzën e vrasjes me dashje të 7 -vjeçares Jonada Avdiu ndërsa kërkoi masën e arrestit me burg.

Në këtë mënyrë prokuroria e rëndon gjendjen e ish-shefit të Elbasanit duke iu referuar provave që u mblodhën në vendngjarje.

Nga ana tjetër prokurorja i del kundër policisë lokale duke kujtuar se pikërisht paralajmërimet e pushuesve përpara se të ndodhte ngjarja duhet ta kishin shtyrë të dyshuarin të tregohej i kujdesshëm dhe jo të manovronte për t’u larguar, një veprim i cili solli pasojën fatale, atë të vdekjes së vogëlushes.

Si prova prokurorja sjell dëshmitë e dëshmitarëve okularë në Potam dhe të provave që u fiksuan në vendngjarje. Në dosje gjendet edhe dëshmia e komisarit të Elbasanit që shfaqet i penduar dhe që tregon se gjithçka ndodhi aksidentalisht pasi mjeti lundrues i doli nga kontrolli.

Megjithatë prokuroria deklaron se do të kërkojë arrest me burg për policin, gjatë një seance që pritet të mbahet në gjykatën e qytetit bregdetar në orët në vazhdim. /Tch/

Show More

Related Articles

Back to top button