LajmeMaqedoni

Përplasje mes institucioneve në Shkup, sistemi i drejtësisë në krizë

Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është në krizë të thellë për shkak të jofikasitetit, grupeve të ndryshme të interesit dhe ndikimeve politike, thonë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar përplasjet e fundit mes Policisë Financiare dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Bëhet fjalë për dy nga institucionet më të rëndësishme në vend për luftimin e krimit dhe korrupsionit – Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë Financiare.

Që të dyja janë organe kyçe për zbulimin e krimit financiar dhe korrupsionit, krahas Departamentit për Krimin e Organizuar që vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

Këto dy institucione tani disa ditë janë në konfrontim të thellë që kanë çuar edhe në ngritjen e padive penale.

Prokuroria që drejtohet nga Vilma Ruskovska ka urdhëruar bastisjet e zyrës së drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muharemi me pretendimin se nuk ka vepruar për një rast të denoncuar nga një qytetar për një objekt afarist, për të cilin opinioni nuk është i njoftuar për shkak të hetimeve.

Por, këto pretendime janë hedhur poshtë nga kreu i Policisë Financiare, i cili pretendon se Prokuroria ka bërë lëshime të shumta juridike gjatë bastisjes, e të cilat janë konstatuar edhe nga Këshilli i Prokurorëve, organ më i lartë i ndjekjes penale në Maqedoninë e Veriut.

Ky konstatim i Prokurorisë së Lartë, por edhe reagimi i shoqatës së prokurorëve që po ashtu akuzuan për shkelje gjatë bastisjes, bënë që kreu i Policisë Financiare të paralajmërojë padi penale ndaj prokurores Vilma Ruskovska dhe dy prokurorëve që urdhëruan bastisjen.

“Një është e sigurt, se ky konflikt mes prokurores për Krimin e Organizuar dhe Policisë Financiare tregon qartë se sistemi ynë i drejtësisë është në krizë serioze. Përplasje të këtilla mes institucioneve kemi pasur edhe më parë, por jo të përmasave si kjo që po ndodh tani”.

“Ky është një konfrontim juridik, por me prapavijë politike që nuk do të ketë zgjidhje juridike, por politike. Kemi shkelje të procedurave në punën e tyre dhe apeli drejtuar institucioneve ndërkombëtare për të vepruar flet qartë se në çfarë gjendje ndodhen institucionet tona”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gordan Kallajxhiev, profesor në Fakultetin Juridik në Shkup.

Prokurorja Ruskovska ka kërkuar mbështetjen e Ambasadës amerikane dhe asaj të BE-së duke i ftuar të hetojnë rastin, por edhe punën e saj nëse ka bërë lëshime edhe në shumë lëndë tjera, siç ka pretenduar kreu i Policisë Financiare. Ruskovska, sipas tij, po mban në sirtarë shumë lëndë të rënda penale, pa saktësuar se për çfarë bëhet fjalë.

Nga Ambasada amerikane në Shkup kanë thënë se “përplasja e Prokurorisë dhe Policisë Financiare është çështje e organeve kompetente”.

“Ambasada e SHBA-së është e angazhuar në promovimin e sundimit të ligjit në Maqedoninë e Veriut dhe mbështet përpjekjet e autoriteteve dhe Gjyqësorit për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie ndërmjet institucioneve dhe brenda tyre”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup.

Margarita Caca-Nikolovska, njohëse e çështjeve juridike dhe ish- gjyqtare në Gjykatën për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Strasburg thotë se konflikti mes dy institucioneve është i papranueshëm pasi krijon një imazh negativ në opinion.

“Nëse ka ndonjë problem, duhet të zgjidhet brenda organeve dhe secili të mbajë përgjegjësinë e vet. Me sa më kujtohet, ky lloj mosbashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve ka kohë që lundron në ajër. Ka autoritete që mund ta zgjidhin këtë problem dhe është shumë për të ardhur keq që tani janë ftuar diplomatët e huaj t’i zgjidhin gjërat”.

“Sipas dispozitave ligjore, ekziston mundësia që autoritetet kompetente kombëtare të përcaktojnë se kush çfarë ka bërë… kush i ka shkelur ligjet dhe shumë lehtë mund të përcaktohet përgjegjësia dhe jo rasti të marrë përmasa të mëdha, pasi kjo rrënon imazhin e institucioneve”, thotë Nikollovska për Radion Evropa e Lirë.

Përplasjet në këto dy institucione janë komentuar edhe nga VMRO DPMNE-ja opozitare.

“Rasti me Ruskovskën dhe Arafat Muaremin dëshmon qartë se si janë keqpërdorur institucionet. Përplasja mes tyre do të nxjerrë në sipërfaqe të gjitha keqpërdorimet që janë bërë nga institucionet, të cilat jo që nuk e kanë luftuar krimin, por me veprimet e tyre dëshmojnë se janë pjesë e krimit. Përgjegjësi duhet të ketë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Zhvillimet mes Policisë Financiare dhe Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk janë komentuar nga Qeveria e as nga Ministria e Drejtësisë./REL/

 

Show More

Related Articles

Back to top button