Çmimi i naftës së papërpunuar në bursat botërore humb të gjitha kuotat e fituara nga lufta në Ukrainë.
Në bursat e Teksasit dhe të Londrës, dy pikat kryesore të referimit në tregjet ndërkombëtare, çmimi për fuçi nafte ra në kuotat e fillimi të Shkurtit, pak javë para fillimit të sulmit rus në Ukrainë, e kur tregjet botërore nuk vuanin nga ndikimi i luftës tek çmimi i naftës.
Bursa e Teksasit u hap këtë të Hënë me një çmim nafte prej rreth 88 dollarësh për fuçi, ndërsa ajo e Londrës në kuotat e 94 dollarëve.
Analistët thonë se reduktimi i radhës i çmimit të naftës lidhet me frikën e rënies së kërkesës për naftë mes vendeve të zhvilluara të botës si Shtetet e Bashkuara, ato europiane dhe në Kinë, për shkak të shenjave të forta të recesionit që ato po paraqesin.
Veç hedhjes në treg të sasive të mëdha të naftës nga rezervat federale amerikane, me shpresë shihet edhe premtimi i Arabisë Saudite, vendit lider të kartelit të OPEC-ut për shtimin e prodhimit me 100 mijë fuçi në ditë në muajin Shtator.
Por ekspertët paralajmërojnë se turbullirat në ekonominë globale e bëjnë çmimin e naftës të paparashikueshëm.
Tv Klan