Ashtu si pothuajse të gjithë ambasadorët amerikanë që kanë shërbyer në ventin tonë, edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, z.Gabriel Escobar, javën e kaluar deklaroi se Asociacioni i komunave serbe nuk duhet të jetë një shtet brenda shtetit. Por, Escobar, po ashtu tha se ‘Asociacioni është zotim i Kosovës’ dhe se duhet të diskutohet.
E kryeministrin Albin Kurti, sot në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se Asociacion me kriter etnik, nuk duhet të bëhet.
“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar.
Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë”, tha Kurti.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.
Gjatë këtij diskutimi ai foli edhe për situatën në rajon dhe përsëriti qëndrimin se “nuk do të ketë luftë në Bosnjë e Hercegovinë”.
“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai./rel/periskopi