Vendimi i Qeverisë për kthimin e targave të vjetra në “RKS” është shtyrë për 1 shtator, mirëpo ky vendim shkaktoi konfuzion te qytetarët.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një njoftimi, ka sqaruar se regjistrimi i automjeteve të qytetarëve me targa RKS mund të bëhet në të gjitha qendrat për regjistrimin e automjeteve, në komunën ku pronari e ka vendbanimin, shkruan Zeri.info.
Në njoftim MPB-ja u është përgjigjur edhe pyetjeve të tjera si “a lejohet regjistrimi i mjeteve të cilat kanë bërë vazhdimin e regjistrimit me këto targa pas datës 21 prill 2022?”.
Përgjigja është “po”, pra mjetet të cilat janë pajisur për herë të parë me targa ilegale brenda periudhës 10 qershor 1999 – 21 prill 2022, por që kanë vazhduar regjistrimin me këto targa pas datës 21 prill 2022, mund të bëjnë regjistrimin e mjeteve me targa RKS.