Goce Sedloski, trajner i Shkupit, “i shtrëngon dorën” kundërshtarit irlandez, Shamrock Rovers për fitoren edhe në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Todor Proeski”.
“Dua të përgëzoj Shamrock Rovers për fitoren. Sot ishim pa disa lojtarë, por kjo nuk është justifikim. Jemi përballur me një ekip shumë të mirë, solid, agresiv. Na mundën me meritë në këto 180 minuta futboll. Bëmë tri ndryshime në pushim, sollën freski, por pas golit të parë u nervozuam. Humbëm shumë topa aty ku nuk duhej dhe një kundërshtar si Shamrock nuk e fal këtë.”
Tashmë trajneri i kampionëve e kthen vëmendjen te sfida me Makedonija G.P, para se të provojnë shansin edhe në “play off”-in e Conference League.
“Tani vazhdojmë me ndeshjen e radhës, na pret një kundërshtar i vështirë siç është Makedonija G.P. Kemi edhe një shans për në Conference League, presim kundërshtarin të enjten dhe duhet të balancojmë dy garat.”/ Super Sport