BotaLajme

FBI-ja sekuestron telefonin e aleatit kryesor të Trumpit

Republikani Scott Perry, një aleat kryesor i ish-presidentit Donald Trump tha se agjentët e FBI-së sekuestruan telefonin e tij, vetëm një ditë pasi agjentët kontrolluan pronën e Trump në Florida.

“Këtë mëngjes, ndërsa udhëtoja me familjen time, 3 agjentë të FBI-s më morën celularin”, tha republikani i Pensilvanisë në një deklaratë të lëshuar përmes zyrës së tij.

“Ata nuk bënë asnjë përpjekje për të kontaktuar avokatin tim, i cili do të kishte marrë masa që ata të kishin telefonin tim nëse kjo ishte dëshira e tyre.”

Sipas medias së huaj, avokati i Perry, John Rowley, i cili është gjithashtu anëtar i ekipit ligjor të Trumpit nuk iu përgjigj një kërkese për të komentuar situatën.

FBI-ja dhe Zyra e Prokurorit të SHBA në Uashington gjithashtu nuk pranuan të komentojnë.

Deklarata e Perry-t nuk thoshte se çfarë donte FBI-ja nga telefoni i tij, por ai ka qenë një figurë me interes për personat Kongresit që po hetojnë përpjekjet e Trumpit për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, ku fitues doli presidenti aktual Joe Biden.

Perry, një aleat kyç në atë përpjekje, i tha Trumpit të zëvendësonte drejtuesit e Departamentit të Drejtësisë dhe të vendoste në krye të departamentit një zyrtar pak të njohur, Jeffrey Clark.

Paneli i përzgjedhur i 6 janarit thirri Perry -n në maj, por ai nuk shkoi.

Interesi i Departamentit të Drejtësisë për Perry-n mund të lidhet me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol, por mund të lidhet edhe me kontrollin e shtëpisë së Trump në Florida.

Komiteti i 6 janarit zbuloi në prill se Perry dhe shefi i fundit i shtabit të Trump, Mark Meadows, komunikuan nga aplikacioni i koduar i mesazheve Signal për çështjet që lidhen me zgjedhjet e vitit 2020 dhe është e paqartë nëse njëri prej tyre i mbajti ato mesazhe.

Në mënyrë të ngjashme, komiteti i përzgjedhur mori dëshmi se Meadows dogji disa letra pas takimit në Shtëpinë e Bardhë me Perry-n.

Meadoës ishte një prej themeluesve të grupit pro-Trump Freedom Caucus, kryetar i të cilit tani është Perry.

Autoritetet sekuestruan telefonin e senatorit Richard Burr (RN.C.) në vitin 2020 si pjesë e një hetimi mbi praktikat e tij të tregtimit të aksioneve, megjithëse Departamenti i Drejtësisë më vonë përfundoi hetimin pa asnjë akuzë kundër tij.

Por Burr gjithsesi dha dorëheqjen nga kryesimi i Komisionit të Inteligjencës së Senatit në mes të polemikave dhe njoftoi se nuk do të merrte pjesë në rizgjedhje./TCH/

Show More

Related Articles

Back to top button