Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka nënshkruar një ligj që jep 280 miliardë dollarë për prodhimin e teknologjisë dhe kërkimet shkencore mes frikës se vendi po humbet avantazhin e tij teknologjik ndaj Kinës.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, investimet përfshijnë ulje tatimore për kompanitë që ndërtojnë fabrika të prodhimit të çipave kompjuterikë në SHBA.
Grupet e biznesit kanë kërkuar prej kohësh më shumë mbështetje nga qeveria, duke përmendur nevojën për të reduktuar varësinë nga Kina.
Ndërkohë një mungesë globale e çipave rriti urgjencën e thirrjeve të tyre.
Demokrati Chuck Schumer tha se projektligji ishte një “ndryshues i lojës” që do të siguronte udhëheqjen dhe prosperitetin amerikan në shekullin e ardhshëm.
Shtetet e Bashkuara aktualisht prodhojnë afërsisht 10% të furnizimit global të çipave, të cilët janë çelësi për gjithçka, nga makinat tek telefonat celularë, nga gati 40% në vitin 1990.
Bashkimi Evropian këtë pranverë tha se do të angazhonte më shumë se 40 miliardë euro për të rritur prodhimin e çipave kompjuterikë, ndërsa Kina gjithashtu ka rritur investimet e saj në shkencë dhe teknologji. /Telegrafi/