BotaLajme

HRW kërkon nga talibanët që të respektojnë të drejtat e njeriut

Autoritetet talibane në Afganistan kanë vendosur kufizime të ashpra mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, në vitin e parë prej kur kanë marrë pushtetin defakto të vendit, tha Human Rights Watch (HRW).

“Populli afgan po jeton në një makth sa i përket të drejtave të njeriut, dhe janë viktima edhe të mizorisë së talibanëve dhe apatisë ndërkombëtare”, tha Fershta Abbasi, hulumtuese për Afganistanin në HRW.

“E ardhmja e Afganistanit do të mbetet e zymtë nëse qeveritë e huaja nuk angazhohen në mënyrë më aktive me autoritetet talibane, duke u bërë presion atyre sa i përket të drejtave të njeriut”.

Në deklaratën e HRW përmenden kufizimet e vendosura nga talibanët ndaj të drejtave të grave, shtypjes së mediave, ndalimeve arbitrare dhe torturave, por edhe ekzekutimeve pa gjyq.

Talibanët u rikthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, pasi koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u larguan nga vendi. Pas kësaj tërheqjeje, qeveria e mëparshme afgane kolapsoi shpejt. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka njohur qeverinë e talibanëve dhe ka kufizuar angazhimin me të.

Që prej marrjes së pushtetit, pavarësisht thirrjeve, talibanët në masë të madhe ua kanë ndaluar vajzave që të ndjekin arsimin e mesëm dhe ua kanë ndaluar grave që të dalin nga shtëpia pa shoqërimin e një anëtari mashkull të familjes. Ndalimi i udhëtimit ka detyruar shumë gra që të lënë vendet e tyre të punës.

Organizata Human Rights Watch theksoi se “shkeljet e të drejtave të njeriut nga talibanët kanë sjellë dënime të mëdha dhe kanë penguar përpjekjet ndërkombëtare për të adresuar situatën humanitare në vend”. Kjo organizatë tha se Afganistani po përballet me “kolaps ekonomik” pas ndërprerjes së fondeve ndërkombëtare.

“Pas një viti në pushtet, liderët talibanë duhet të pranojnë katastrofën që kanë krijuar dhe kthimin prapa në të drejtat e njeriut, para se më shumë afganë të vuajnë dhe më shumë jetë të humben”, tha Abbasi.

Ndërkaq, në një raport të publikuar më 10 gusht nga organizata Save the Children, u tha se një e katërta e vajzave afgane kanë shfaqur shenja të depresionit dhe 97 për qind e familjeve po përballen me vështirësi që të ushqejnë fëmijët e tyre.

Në muajin maj, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shprehu “shqetësimin e thellë” lidhur me gjendjen e të drejtave të grave dhe vajzave në Afganistan. Në këtë deklaratë të lëshuar nga OKB-ja iu bë thirrje talibanëve që të heqin dorë menjëherë nga politikat e tyre dhe të “respektojnë zotimet e tyre për të rihapur shkollat për të gjitha studentet”.

Show More

Related Articles

Back to top button