Interi ka sulmin më të mirë të kampionatit dhe pa dyshim që peshën më të madhe e ka pasur reparti ofensiv, ku Simone Inzagi i gëzohet përveç një Lautaroje në formë fantastike, edhe Xhekos e Korreas, pa lënë pas Alkesis Sançezin.
Kjo renditje përshkruan edhe hierarkinë e sulmuesve të Interit, aty ku më pak minuta ka pasur për kilianin që kur zbret në fushë, rrallë gabon para portës. E pikërisht nga ky i fundit pritet të nisë edhe projektimi i repartit për sezonin e ardhshëm. 33-vjeçari është çelësi që mund të sjellë në Milano Paulo Dibalën.
Sançez ka edhe një vit kontratë, por klauzola në kontratën e tij e lejon ndërprerjen e saj një vit më parë dhe 9.5 milionë eurot bruto që përfiton sulmuesi do të shkojnë për të bindur Dibalën, pagesa për të cilin në një sezon mund të shkojë deri në 12 milionë euro bruto. River Plejti është në pritje të një përgjigjeje nga Sançezi, që duket i destinuar t’i lërë “La Joya”-s rrogën dhe vendin në sulmin zikaltër.