Shoqata e Hebrenjve në Maqedoninë e Veriut kërkon nga institucionet të ndërmarrin masa urgjente ndaj çdonjërit që formon shoqata me ide fashiste duke prekur në ndjenjat e këtij komuniteti të përndjekur gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania fashiste dhe shtetet që kishin mbështetur nazizmin.
Kryetari i Shoqatës, Pepo Levi, thotë se komuniteti hebre është i “indinjuar” nga njoftimet se pos klubit në qytetin e Manastirit, edhe në Ohër është formuar një shoqatë me emrin e Car Borisit III, i cili kishte sunduar me Bullgarinë nga viti 1918-1943.
Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Car Borisi ishte rreshtuar përkrah Gjermanisë dhe kishte pushtuar pjesën më të madhe të Maqedonisë së Veriut ku ishte strehuar një numër i madh i komunitetit hebre.
“Kjo është diçka e pakëndshme për ne hebrenjtë, por edhe për tërë popullin maqedonas, pasi bëhet fjalë për kolaboracionistë të verifikuar, bashkëpunëtorë të Hiterit, Ante Paveliqit, pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore përkrah nazistëve. Është një ndjenjë e rikthimit të nazizmit përmes dyerve të mëdha në Maqedoni[të Veriut]. Kjo është diçka e pazakontë e që nuk duhet të ndodhë”.
“Kjo nuk është aspak në rregull pasi prek ndjenjat e hebrenjve dhe të vetë maqedonasve kur dihet se 7.144 hebrenj u vranë, e mbi 11 mijë të tjerë u dërguan në kampet e përqendrimit nga Bullgaria naziste. Car Borisi është sinonim i nazizmit”, thotë Levi për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se në muajin prill, kur në qytetin e Manastirit u regjistrua një klub tjetër kulturor bullgar, me emrin e bashkëpunëtorit tjetër nazist, Vanço Mihajlov, shoqata që ai drejton gjithashtu reagoi, duke u kërkuar institucioneve që të kontrollojnë nëse është i ligjshëme emërtimi i klubeve dhe shoqatave me emra të tillë.
“Mendoj se institucionet duhet të reagojnë lidhur me këto paraqitje. Nuk mundet që kujt t’i teket të regjistrojë shoqata me emra të nazistëve. Nesër mund t’i teket ndonjërit të regjistrojë një shoqatë me emrin e Hitlerit… A thua a do ta lejonte shteti një gjë të tillë? A mundet diçka e tillë të ndodhë në ndonjë vend të BE-së? Nuk mundet atje kush si të dojë të regjistrojë shoqata të tilla që mbajnë emra të fashistëve. Ky është një antisemitizëm klasik që dënohet me ligj, si në Gjermani, Francë e vende tjera”, thotë Pepo Levi, kryetar i Shoqatës së Hebrenjve të Maqedonisë së Veriut.
Shoqata me emrin e Car Borisit III është themeluar nga një shoqatë bullgare në Ohër dhe drejtohet nga Tome Bllazheski. Ai thotë se është bullgar që jeton në Maqedoninë e Veriut.
“Mbreti bullgar, Borisi III, e ka çliruar Maqedoninë nga skllavëria serbe dhe kur kombet e tjera mund të kenë shoqata të ndryshme, pse edhe ne të mos mundemi. Si mbështetës të figurës dhe veprës së Carit bullgar Borisi III, themeluam në Ohër një shoqatë që mban emrin e tij dhe synimi ynë është të ushqejmë kulturën bullgare në Maqedoni”, thotë Bllazhevski për Radion Evropa e Lirë.