Mijëra brazilianë kanë prostestuar kundër shqetësimeve se presidenti Jair Bolsonaro do të përpiqet të qëndrojë në pushtet edhe nëse humbet zgjedhjet që priten të mbahen në tetor, shkruan BBC.
Protestuesit marshuan në disa qytete të enjten në mbrojtje të demokracisë mbi frikën se lideri i ekstremit të djathtë nuk do të respektojë rezultatin e votimit. Bolsonaro ka kërkuar vazhdimisht të diskreditojë sistemin e votimit në Brazil.
Një vit më parë, Bolsonaro u përpoq të ndryshonte sistemin për të futur fletët e votimit të printuara, por propozimi u rrëzua nga Kongresi. Kritikët e presidentit kanë shprehur frikën se ai po përgatitet të ndjekë shembullin e ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe të pretendojë se zgjedhjet janë maniupuluar nëse ai humbet.
Demonstratat erdhën në të njëjtën ditë kur u nënshkrua një peticion nga një milion brazilianë. Peticioni, i frymëzuar nga një deklaratë e vitit 1977 që denonconte diktaturën e Brazilit në atë kohë, paralajmëronte se demokracia e vendit po përballej me një rrezik të madh, raporton abcnews.al.
Turmat protestuan në Rio de Janeiro, Brasilia dhe Recife, ndërsa mijëra u mblodhën jashtë Universitetit të Sao Paulo. Njerëzit mbanin pankarta që akuzonin Bolsonaro, duke i kërkuar të respektonte votën dhe njerëzit.
Presidenti, në detyrë që nga viti 2019 denoncoi peticionin, duke postuar në Twitter se kushtetuta ishte i vetmi që kishte rëndësi për garantimin e demokracisë.
Disa nga rivalët e tij në zgjedhje kanë nënshkruar peticionin, duke përfshirë ish-presidentin e majtë Luiz Inacio Lula da Silva, i cili shkroi në Twitter : “Vendi ynë dikur ishte sovran dhe i respektuar. Ne duhet ta rikthejmë atë.”
/abcnews.al/