Ministria malazeze e Punëve të Jashtme e ka shpallur person të padëshirueshëm një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse të akredituar në Podgoricë, për shkak të veprimtarive që bien ndesh me nenin 9 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.
Njoftimi zyrtar për këtë vendim, në të cilin ishte përcaktuar afati prej shtatë ditësh për largimin nga territori i Malit të Zi, i është dorëzuar ambasadorit të Federatës Ruse, Vladislav Maslenikov, pa u specifikuar se për cilin diplomat bëhet fjalë.
Gjatë këtij viti, Mali i Zi kishte shpallur non-grata pesë diplomatë rusë, në mesin e tyre ishte edhe Viktor Antipin, oficer i inteligjencës i Shërbimit të Jashtëm rus (SVR), pasi ishte takuar me ish-nënkryetarin e Kuvendit, Strahinja Bulajiq.
Bulajiq i përket Frontit Demokratik (DF), një aleancë pro-serbe, qëllimet politike të së cilës janë heqja e sanksioneve ndaj Rusisë të vendosura nga Mali i Zi pas aneksimit të Krimesë dhe tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës. DF gjithashtu është një kundërshtare e anëtarësimit të Malit të Zi në aleancën e NATO-s.