Misioni i Përhershëm i Shqipërisë i dorëzoi të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës dhe vëzhguesve Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, miratuar unanimisht në Kuvendin e Shqipërisë muajin e kaluar.
Sipas Serbisë, rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë “është e bazuar në gënjeshtra”.
Milovan Drecun, kryetari i fundit i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, tha se Serbia duhet të reagojë ashpër ndaj kësaj rezolute.
Drecun ka thënë për RTS se rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është “jashtëzakonisht çnjerëzore, brutalisht e pavërtetë dhe e bazuar në dy gënjeshtra kryesore”.
“Në shënimin shoqërues, pjesët e rezolutës që përmbajnë pohimin se deklaratat nga raporti i Dick Marty, edhe pas dhjetë vitesh hetim, nuk janë provuar, nuk janë të bazuara në fakte. E para është se nuk u gjet asnjë provë, se as prokurori special dhe as të gjithë ata që u morën me të, as EULEX-i dhe as Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi nuk gjetën fakte dhe nuk vërtetuan asgjë. Dhe gënjeshtra e dytë është se Shqipëria dhe Kosova kanë bërë të gjitha për hir të së vërtetës dhe drejtësisë”, theksoi Drecun.
Sipas Drecun qëllimi parësor është që “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët të tentojnë ta mohojnë plotësisht krimet dhe ta lirojnë Shqipërinë nga përgjegjësia para gjykimit të ardhshëm, sepse, thekson ai, “gjithçka ka ndodhur në territorin e Shqipërisë”.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar sot dokumentin e rezolutës së dorëzuar në Këshillin e Europës kundër raportit të Dick Martyt për trafik të organeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Në postimin e tij në Facebook Rama shkruan se në dritën e fakteve dhe provave të përditësuara, raporti i Dick Martyt nuk mund të gëzojë më rezolutën mbështetëse në fuqi.
Më tej ai shton se Shqipëria i kërkon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues dhe si rrjedhojë një rishikim thelbësor të Rezolutës 1782 (2011).
Rama shprehet se Shqipëria me anë të kësaj kërkese, “riafirmon vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë e për të mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën dhe e konsideron këtë nisëm shprehje kuptimplotë të këtij vullneti”