LajmeMaqedoni

Opozita kërkon miratimin urgjent të protokolleve kundër lisë së majmunëve

Deri më tani nuk ka asnjë rast të lisë së majmunit në vend. Dyshimet u mënjanuan pasi mbrëmë, pas 5 ditësh pasiguri, doli negativ rezultati i testit të banorit të Kërçovës, i cili dyshohej se ishte i infektuar. U raportuan 2 raste të dyshimta, ai i Kërçovës që refuzonte të testohet për disa ditë me radhë dhe një emigrant i shtruar në Klinikën Infektive, i cili gjithashtu rezultoi negativ. Por, sipas VMRO DPMNE nuk duhet të ketë pasiguri te qytetarët edhe pse nuk ka raste të konfirmuara. Kërkojnë urgjent krijim të protokollit për këtë sëmundje ngjitëse.

“Për fat të mirë pacienti është negativ dhe për këtë na duhen sa më parë protokollet nga autoritetet shëndetësore dhe Komisioni i sëmundjeve infektive. Nuk duhet të lejojmë të na përsëritet skenari si pandemia e Covid-it, ku Maqedonia është vendi me më së shumti vdekje për milion banorë, ku u vonuam me protokolle, u vonuam me vaksinim dhe kishim pa numër lëshime në shërbimet shëndetësore”, tha Mile Lefkov, VMRO DPMNE.

Por, nga LSDM thonë se situata menaxhohet mirë dhe se opozita nuk di tjetër përveç të përhapë panik të qytetarët.

“Kur KSI propozoi atëherë të ketë vaksinim të detyrueshëm për të gjitha kategoritë e rrezikuara, mjekë arsimtarë, të moshuar, ata të VMRO ishin kundër kinse rrezikohej e drejta e qytetarëve për të vendosur dhe propozuan teste PCR. Tani standardi dyfishtë është se kërkojnë që me forcë të testohen pacientët”, deklaroi Nenad Kociq, deputet i LSDM-së.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Evropa është aktualisht më e prekura nga lija e majmunëve, me 55% të rasteve të konfirmuara në botë, ku spikat Spanja, Britania, Gjermania, Franca.

Përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Maqedoni, rekomandojnë që edhe në vendet që ende nuk kanë raportuar raste të lisë së majmunëve, autoritetet përgjegjëse për shëndetin publik duhet të forcojë shpejt dhe ndjeshëm kapacitetet kombëtare për mbikëqyrje, hetim, diagnostikim dhe gjurmim kontaktesh, të gjitha me qëllim identifikimin dhe ndjekjen e çdo rasti të mundshëm./Alsat.mk/

Show More

Related Articles

Back to top button