Jo viza turistike për rusët sa kohë ka luftë në Ukrainë
Vendet e BE edhe në debatin mbi vizat turistike për rusët po bëjnë atë që dinë më mirë, të mos veprojnë në unitet, kritikon Miodrag Soric. Ai kërkon një qëndrim i njësuar, edhe pse duhet të ketë përjashtime për vizat.
Diskutimi sapo është ndezur: A është e mundur që qytetarët rusë si turistë të bëjnë pushime në Spanjë apo Francë, në një kohë që ushtria ruse në Ukrainë vret mijëra gra dhe fëmijë? Në asnjë mënyrë mendojnë gjithnjë e më shumë vetë në BE.
Vërtet, vendet e hapësirës Shengen duhet t’ua mohojnë rusëve vizat turistike deri në një moment tjetër. Të paktën për sa kohë që Moska mban të pushtuara pjesë të Ukrainës. Pasi deri më tani miliona rusë e mbështesin luftën, ose bëjnë sikur ata nuk kanë asnjë lidhje me këtë pushtim me armë. Atyre u duhet bërë e qartë, se kështu ata nuk janë të mirëpritur në Europë. Për shumë moskovitë ndoshta është normale të shijojnë jetën në kafene e restorante në një kohë që bashkëvendasit e tyre i lyejnë duart me gjak, po në botën e civilizuar kjo nuk është normale.
Padrejtësi që duhet pranuar
Sigurisht: T’ua mohosh në mënyrë të përgjithshme vizën turistike rusëve është të paktën pjesërisht e padrejtë. Sepse kjo prek edhe të pafajshmit, njerëz që nuk e mbështesin luftën në Ukrainë, por nuk kanë guximin të protestojnë kundër saj. Por “dëme të tilla kolaterale” është vështirë t’i pengosh.
Edhe argumenti që përdoret, se në një rast të tillë rusët do të kërkojnë më shumë mbështetje tek Kremlini. Le ta kërkojnë. Po pushime në Cote’d Azur apo blerje në bulevardin Champs Elysee nuk duhet të ketë për momentin. Ajo që mbetet është shija e keqe e të qenurit “ulur në bankën e të akzuarit”. Por pikërisht kjo duhet arritur si efekt. Sepse rusët në një kohë të tillë lufte nuk duhet të trajtohen më si një popull normal, ashtu si u trajtuan gjermanët në vitet 1930 deri në 1945 dhe në vitet që pasuan.
Nga ana tjetër për fundin e vizave turistike flasin edhe aspekte të sigurisë. Me një vizë të tillë udhëtoi rusi Vadim Kraskov në Berlin për të vrarë pa iu dridhur syri një azilkërkues nga Gjeorgjia, me gjasë me porosi të shërbimit sekret FSB. Kjo e bën Rusinë, si e kanë përcaktuar edhe politikanë gjermanë për çështjet e jashtme, “shtet të terrorit”. Europa duhet mbrojtur nga një shtet i tillë.
Rregulla të njësuara për të gjitha shtetet e zonës Shengen
E megjithatë persona të veçantë nga Rusia duhet të kenë mundësinë të vijnë sërish në tokën europiane. Gjermania dhe Europa kanë një problem demografik dhe shumë sipërmarrje kërkojnë prej vitesh fuqi të kualifikuar punëtore. Në vitet e kaluara miliona rusë, të rinj të kualifikuar mirë janë larguar nga vendi. Kjo duhet mbështetur. Edhe studentë rusë apo studiues që duan të vazhdojnë punën të lirë në perëndim mund të vjnë. Opozitarë rusë po ashtu. Në një kuadër të caktuar duhet të jenë të mundura edhe vizitat për arsye familjare.
Rëndësi ka që qeveritë e vendeve të BE të aplikojnë të njëjtat rregulla, ashtu si edhe kur të vijë dita tek heqja e sanksioneve, nëse arrihet një paqe e përhershme. Prej muajsh shumica e gjermanëve e mbështet furnizimin me armë të rënda në Ukrainë. Një pakicë është kundër, të paktën duke iu referuar historisë gjermane. Pikërisht këta do ta përshëndesnin mohimin e vizave turistike për rusët. Një formë e tillë sanksionimi tregon shpejt efekt, e nuk kushton jetë njeriu.
Ndalimin e vizave turistike nuk mund ta injorojnë as mediat që flasin njësoj në Rusi. Në fillim ato do të tallen me këtë, pastaj do t’u rendisin rusëve favoret që ke, kur je në vendlindje. Si atëherë në Bashkimin Sovjetik. Dhe do të thonë në fund, se kafenetë dhe restorantet e Moskës pikërisht për këtë do të vezullojnë më shumë…/DW