VMRO – DPMNE sot ka vazhduar konsultimet për referendumin e paralajmëruar në lidhje me kornizën negociuese për anëtarësim. Lideri i partisë, Hristijan Mickoski, në kuadër të konsultimeve, po zhvillon takime edhe partnerët e koalicionit, prej të cilëve pret që ta mbështesin iniciativën për referendum, raporton Klan M.
“Gjatë ditës së sotme po mbahen takime nga ana e kryetarit të VMRO – DPMNE-së Mickoski dhe udhëheqësisë partiake me përfaqësuesit e partnerëve të koalicionit. Nga këto takime presim konfirmim të mbështetjes për deklarimin e qytetarëve në referendum në lidhje me kornizën negociuese në kontekst të Marrëveshjes me Bullgarinë. Riafirmim të atij qëndrimi, riafirmim të mbështetjes në përgjithësi për të qëndruar në koalicion me VMRO – DPMNE-në” – Brane Petrushevski, deputet i VMRO – DPMNE-së
Deputeti i VMRO – DPMNE-së, Brane Petrushevski gjatë konferencës së sotme për media, tha se gjithë deputetët e koalicionit të opozitës maqedonase, qëndrojnë pas deklaratës së Mickoskit sa i përket referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese.
“Edhe unë si deputetë i VMRO – DPMNE-së dhe gjithë grupi parlamentare qëndrojmë pas deklaratës së djeshme të kryetarit se, ndryshimet kushtetuese nën një diktat të këtillë bullgar janë çështje e kryer për ne dhe nuk do të lejojmë të ndodhë ajo” – Petrushevski.
Mickoski dje deklaroi se do të largohet nga politika, nëse ndonjëri prej deputetëve të VMRO – DPMNE-së voton për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është kusht për hapjen e klasterit të parë të negociatave me BE-në.
Kujtojmë se, pas votimit të propozimit francez, gjë që i hapi rrugë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare për anëtarësim me BE-në, VMRO – DPMNE paralajmëroi referendum për pranimin e kornizës negociuese së bashku me marrëveshjen bilaterale për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Por, deri më tani nuk janë shpalosur detajet se si do të jetë pyetja e referendumit dhe si do të zhvillohej ai. /KlanMacedonia/