LajmeRajon

Vuçiq: Ruajtja e paqes dhe stabilitetit, qëllimi i takimit me Kurtin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se qëllimi i vetëm i takimit të radhës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është që të ruhet paqja dhe stabiliteti.

Vuçiq u tha gazetarëve se Beogradi “nuk kërcënon askënd me asgjë”, por vetëm dëshiron të sigurohet se po respektohen rregullat ndërkombëtare dhe normat juridike publike.

“Ato janë marrëveshje të cilat janë të vlefshme dhe në fuqi, dhe duhet të respektohen dhe zbatohen”, tha ai.

Siç raportoi agjencia serbe e lajmeve, Beta, Vuçiq tha se këtu përfshihet respektimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshja Brukselit.

Vuçiq foli edhe për çështjen e targave të makinave, që përdoren nga serbët në Kosovë, e të cilat Prishtina po kërkon që të zëvendësohen nge targat RKS (Republika e Kosovës).

“Nëse dikush dëshiron ta bëjë këtë me forcë, ju mund të bëni gjithçka me forcë. Do të flasim për gjithçka, por a do të kenë këto bisedime ndonjë kuptim, për çka unë dua të besoj, do ta shohim pas dy-tre ditësh”, tha ai.

Presidenti i Serbisë nuk deshi të komentojë një deklaratë të Bashkimit Evropian që më 14 gusht shprehu shqetësimin lidhur me rritjen e retorikës nxitëse nga zyrtarët e Beogradit dhe Prishtinës.

“Nuk kam koment, kështu është më mirë”, tha Vuçiq.

Më 14 gusht, BE-ja shprehu shqetësimin lidhur me rritjen e retorikës nxitëse nga zyrtarët në Kosovë dhe Serbi, veçmas deklaratat që kanë të bëjnë me luftëra dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar që deklarata të tilla të ndalen.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë shkëmbyer akuza lidhur me rritjen e tensioneve. Kurti ka thënë se tensionet e fundit në veri të Kosovës ka pasur rrezik që të përshkallëzohen në konflikt të armatosur, ndërkaq Vuçiq ka thënë se ka informacione për plane të Kosovës për të “likuiduar” serbët në veri.

Të dy, do të takohen më 18 gusht në Bruksel për të vazhduar dialogun në nivel të lartë politik që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ndonëse nuk ka agjendë të takimit, diplomatët në bllok, kanë thënë se takimi i ri synon të ulë tensionet mes dy vendeve.

Tensionet u rritën më 31 korrik dhe 1 gusht, pasi serbët lokalë kundërshtuan dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, duke ngritur barrikada në veri të Kosovës.

Vendimi i parë ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë. Këtë gjë Serbia e praktikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 targa sikurse KM, PZ, UR, e të ngjashme qarkullojnë në veri të Kosovës. Këto targa Prishtina i konsideron ilegale.

Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës u pajtua që të shtyjë zbatimin e vendimeve për 1 shtator.

Show More

Related Articles

Back to top button