Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar urdhrin “Hero i Kosovës”, familjes së heroit të kombit, Sali Çekaj, të cilin ia kishte ndarë presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, në vitin 2005.
Në një ceremoni me familjarë të heroit Çekaj, Osmani ka theksuar se kontributi i tij ishte i jashtëzakonshëm dhe shtrihej në shumë kohë e drejtime.
“Një jetë e tërë në shërbim të kombit dhe atdheut. Sali Çekajn e gjejmë në ballë të betejave për organizimin e jetës institucionale dhe rezistencës ndaj pushtimit të Kosovës gjatë fillimit të viteve të 1990-ta”.
“Pas largimit nga Kosova për t’i shpëtuar arrestimit nga regjimi pushtues i Serbisë, Sali Çekaj dha një kontribut të pashoq në organizimin e diasporës shqiptare dhe në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në Evropën Perëndimore”, ka deklaruar ajo, njoftoi Presidenca.
Sipas saj, ai ka pasur rol qendror në organizimin e rezistencës së armatosur për liri dhe pavarësi të Kosovës, që në fillet e para të organizimit institucional të formacioneve të armatosur të Republikës së Kosovës dhe në organizimin dhe shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sali Çekaj ka organizuar dhe drejtuar me shkathtësi dhe trimëri disa nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në rënien e tij heroike, në betejën e Koshares”, ka shtuar Osmani.
“Ndërkaq, familjarë të heroit Sali Çekaj falënderuan Presidenten Osmani për respektin jo vetëm ndaj heroit, por edhe të luftës çlirimtare”, thuhet në njoftimin për media të Presidencës.
Urdhri ‘Hero i Kosovës’ u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/