Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden rezultoi më 16 gusht pozitive me virusin COVID-19. Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, gruaja e presidentit amerikan Joe Biden, filloi të përjetonte simptoma të ngjashme me ato të etheve, dhe si rrjedhojë iu nënshtrua të martën një testi molekular ku rezultoi pozitive.
Zonja e Parë, në përputhje me udhëzimet e autoriteteve shëndetësore amerikane, do të qëndrojë në izolim për pesë ditë. Jill Biden do të trajtohet me medikamentin anti-viral Paxlovid. “Ajo ndodhet aktualisht në një rezidencë private në Karolinën e Jugut dhe do të kthehet në shtëpi pasi të ketë marrë dy teste negative të njëpasnjëshme”, thuhet në deklaratën Shtëpisë së Bardhë.
Diagnoza e saj pozitive ndaj COVID-19 vjen vetëm disa javë pasi presidenti amerikan rezultoi pozitiv ndaj virusit në muajin korrik. Ai u trajtua menjëherë me antiviralin “Paxlovid” dhe më vonë rezultoi sërish pozitiv në fund të muajit pas disa ditësh testimi negativ, të cilin mjeku i tij e përshkroi si një rast “rikthimi” për shkak të medikamentit. Zonja e parë nuk rezultoi pozitive gjatë asaj kohe.
Shtëpia e Bardhë tha se Joe Biden rezultoi negativ të martën në mëngjes në një test antigjeni. Si person kontakti i zonjës së parë, ai do të qëndrojë për 10 ditë me maskë në ambiente të mbyllura dhe në afërsi me të tjerët, tha Shtëpia e Bardhë.
Biden po rikthehet në Shtëpinë e Bardhë nga Karolina e Jugut të martën për të dhënë një deklaratë për mediat dhe për të nënshkruar legjislacionin mbi klimën dhe kujdesin shëndetësor të miratuar nga Kongresi Amerikan javën e kaluar. Më pas, ai pritet të udhëtojë në Wilmington, Delauer.