BotaLajme

Thatësira detyron kompanitë kineze që të mbyllen

Fabrikat në rajonin jugperëndimor të Kinës janë mbyllur pasi rezervuarët e përdorur për të prodhuar energji nga hidrocentralet kanë rënë në nivele të ulëta për shkak të thatësirës.

Kompanitë në provincën Siçuan, përfshirë prodhuesit e paneleve diellore dhe çimentos u mbyllën ose reduktuan prodhimin, pasi u urdhëruan që të kursenin energjinë për pesë ditë, raportuan mediat. Kjo pasi nivelet në rezervuarë ranë në nivele të ulëta dhe u rrit kërkesa për përdorimin e energjisë për ajër të kondicionuar për shkak të temperaturave të larta.

Në martën autoritetet provinciale urdhëruan kompanitë që të kursenin energjinë në mënyrë që qytetarët të mund ta shfrytëzojnë atë.

Këto mbyllje të fabrikave rrisin presionin ndaj Partisë Komuniste dhe presidentit Xi Jinping, i cili po kërkon që të fitojë mandatin e tretë pesëvjeçar në takimin e partisë që do të mbahet në tetor ose nëntor.

Rritja e prodhimit të fabrikave dhe shitja me pakicë ranë në muajin korrik, pasi Shangai dhe qendrat e tjera industriale u mbyllën që nga fundi i marsit për shkak të shpërthimeve të reja të pandemisë së koronavirusit.

Ekonomia e Kinës është rritur vetëm për 2.5 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, apo më pak se gjysma e objektivit zyrtar të rritjes ekonomike prej 5.5 për qind.

Zonat në Kinën qendrore dhe veriore kanë ndërmarrë masa për t’u siguruar që të ketë furnizime me ujë të pijshëm, pasi shteti është përballur me reshje më të pakta sesa zakonisht. Agjencia zyrtare e lajmeve, Xinhua raportoi se autoritetet kanë dërguar ujë me kamionë në dy fshatrat pranë Çongqing, që janë goditur rëndë nga thatësira.

Qindra-mijëra hektarë të mbjella me produkte bujqësore në mbarë Kinën qendrore dhe veriore janë tharë për shkak të mungesës së ujit dhe temperaturave të larta, ka njoftuar Qeveria kineze.

Agjencia e motit në Kinë ka paralajmëruar se disa zona të vendit do të përballen me temperatura deri në 40 gradë Celsius.

Në Siçuan, ku jetojnë 94 milionë banorë, nivelet e ujit në rezervuarët e hidrocentraleve ranë në nivele të ulëta gjatë këtij muaji, thanë autoritet.

Në këtë rajon operojnë kompani që prodhojnë panele diellore sikurse Tongwei Solar Co. Ltd. dhe GCL-Poly Energy Holdings Ltd, të cilat kanë thënë se kanë marrë njoftim nga autoritetet që të kursejnë energjinë.

Kina ishte përballur me situatë të ngjashme vitin e kaluar në provincën Guangdong, që është një prej qendrave më të rëndësishme në botë të prodhimit. Autoritetet kishin urdhëruar fabrikat në këtë provincë në juglindje që të mbylleshin për shkak të niveleve të ulëta të ujit në rezervuarë./REL/

Show More

Related Articles

Back to top button