Virusi i Nilit perëndimor, i cili tashmë është shfaqur në Ballkan, ka bërë që ekspertë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të shtojnë gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjes.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se në Kosovë nuk ka akoma raste të raportuara, veçse duke pasur parasysh rrezikshmërinë dhe mundësinë e përhapjes se virusit të Nilit Perëndimor, janë duke vëzhguar situatën epidemiologjike në vendin tonë, por edhe të shteteve fqinje, njofton Klankosova.tv.
Tutje, IKShPK ka treguar edhe shenjat dhe simptomat e këtij virusi duke theksuar se infektimi me VNP mund të jetë jo-simptomatik (pa simptoma) në rreth 80% të njerëzve të infektuar, ose mund të qoj në ethet e Nilit Perëndimor ose në sëmundje të rënda të Nilit Perëndimor.
“Virusi i Nilit perëndimor mund të shkaktoj sëmundje fatale neurologjike te njerëzit. Megjithëse, përafërsisht 80% e njerëzve që janë të infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë. Virusi i Nilit perëndimor transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave. Virusi mund të shkaktoj sëmundje të rëndë dhe ngordhje tek kuajt.
Vaksinat për përdorim tek kuajt janë në dispozicion për përdorim por jo ende në dispozicion për tek njerëzit. Zogjtë janë bartës natyral të virusit të Nilit perëndimor. VNP mund të shkaktoj sëmundje neurologjike dhe vdekje tek njerëzit” thuhet në njoftimin e IKShPK-së.