LajmeMaqedoni

Pa rishikimin e buxhetit nuk ka masa

Nga rishikimi i buxhetit do të varet nëse do të ketë zgjatje të masave, që parandalojnë rritjen drastike të çmimeve të ushqimeve. Për dhjetë ditë ndërpritet vlefshmëria e marzheve të ngrira dhe TVSH-ja e shfuqizuar për produktet ushqimore bazë. Rebalanci i Buxhetit do të shqyrtohet sot në seancën e qeverisë dhe nëse miratohet do të krijohen masa aq sa e lejon buxheti i ri, tha ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, shkruan Alsat.

“Kur të miratohet rishikimi kur të dihet sa para kemi, sa do të jetë ana e të hyrave, sigurisht që do ta informojmë opinionin. Sot të shqyrtohet propozimi i Ministrisë së Financave i cili është në bashkëpunim me institucionet tjera dhe nga fillimi i javës së ardhshme do të jetë një pasqyrë më e qartë se çfarë mund të presin qytetarët dhe ekonomia. Me këtë rebalanc do të kemi një zë të caktuar për krijimin e masave që do të miratohen me qëllim të zbutjes së krizës”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë

Masa e parë për çmimet e ushqimeve u miratua dhjetorin e kaluar kur çmimet e të gjitha produkteve ushqimore bazë u ngrinë. Nga muaji mars, kjo masë u zëvendësua me ngrirjen e një pjese të marzhës tregtare dhe heqjen e TVSH-së për qumështin, bukën dhe miellin. Por edhe përkundër ngrirjes së marzhës, Enti Shtetëror i Statistikave ka shënuar rritje të çmimeve të ushqimeve në muajt e kaluar. Arsyeja më e madhe janë rritja e kostos së prodhuesve, por edhe rritja drastike e çmimeve të lëndëve të para në tregjet botërore. Analiza e fundit e OKB-së tregon se çmimet e ushqimeve janë rritur me 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar si pasojë e ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit për shkak të luftës në Ukrainë. /Alsat.mk/

Show More

Related Articles

Back to top button