Lajme

Siria mohon se po mban gazetarin amerikan, Austin Tice

Siria mohoi se po mban gazetarin amerikan, Austin Tice dhe shtetas të tjerë amerikanë, pasi presidenti Joe Bien e akuzoi qeverinë siriane se e ka burgosur gazetarin.

Ministria e Jashtme siriane më 17 gusht tha se Damasku “mohon që ka rrëmbyer apo po mban ndonjë shtetas amerikan në territorin sirian”.

“Shtetet e Bashkuara javën e kaluar lëshuan deklarata të palogjikshme të presidentit amerikan dhe sekretarit të Shtetit ku përfshiheshin edhe akuzat e pabaza ndaj Sirisë se ka rrëmbyer apo po mban shtetas amerikanë, përfshirë ish-marsin, Austin Tice”, u tha në deklaratën e ministrisë siriane.

Deklaratat e bëra javën e kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, u publikuan nga Shtëpia e Bardhë në përvjetorin e dhjetë të rrëmbimit të Tice. Uashingtoni tha se ai u rrëmbye teksa ishte në Siri për të mbuluar konfliktin.

Këto deklarata të Bidenit ishin treguesi më i qartë deri më tani që SHBA-ja ka bërë sa i përket akuzave se Tice po mbahet nga Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

“Ne e dimë me siguri se ai po mbahet nga Qeveria e Sirisë”, tha Biden në deklaratën e publikuar javën e kaluar. “Ne në vazhdimësi kemi kërkuar nga Qeveria siriane që të punojë me ne, në mënyrë që Austin të kthehet në shtëpi”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, u tha gazetarëve të martën se Qeveria amerikane do të insistojë që Siria të kthejë çdo amerikanë. Sa i përket rastit të Tice, ai tha se administrata Biden po angazhohet “edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me zyrtarët sirianë, por edhe përmes palëve të treta”.

“Siria kurrë nuk e ka pranuar se e mban atë”, tha Price duke iu referuar Tice dhe shtoi se autoritetet janë të vendosur që të vazhdojnë punën që gazetari të kthehet në SHBA.

Por, Ministria e Jashtme siriane tha se nuk ka pasur asnjë kontakt sekret me zyrtarët amerikanë lidhur me amerikanët e zhdukur, duke shtuar se “çdo dialog zyrtar me Qeverinë amerikane do të bëhet publik duke respektuar sovranitetin e Sirisë”.

Në maj, zyrtari i lartë i sigurisë libaneze, gjeneralmajor, Abbas Ibrahimi, u takua me zyrtarët amerikanë në Uashington, si pjesë e përpjekjeve për të ndërmjetësuar lirimin e Tice.

Tice u zhduk pak kohë pas ditëlindjes së tij të 31-të më 14 gusht 2012, teksa ishte në një pikë kontrolli në një zonë të kontestuar në perëndim të Damaskut. Një video e publikuar një muaj më pas, e shfaqi atë me sy të mbyllura, teksa mbahej nga persona të armatosur dhe pas kësaj videoje më ai nuk është shfaqur.

Tice është një prej dy amerikanëve që janë zhdukur në Siri. Personi tjetër është Majd Kamalmaz, një psikolog nga Virxhinia, që u zhduk në Siri më 2017.

Tice është nga Hjuston dhe puna e tij është publikuar në The Washington Post dhe gazeta të tjera. Ai kishte shkuar në Siri për të raportuar për konfliktin që nisi në vitin 2011. Lufta siriane ka lënë të vdekur qindra-mijëra persona dhe detyruar që të zhvendosen pothuajse gjysma e popullsisë prej 23 milionë banorësh. Nga popullsia e përgjithshme, mbi 5 milionë sirianë janë zhvendosur jashtë vendit. /REL/

Show More

Related Articles

Back to top button