174 automjete transporti kanë qarkulluar nëpër rrugët e Tetovës dhe Gostivarit me defekte në frena. Nga kontrollet e fundit të MPB-së del në pah se numri më i madh i autobusëve dhe furgonëve në këtë rajon kanë defekte apo punojnë në të zezë. Nga policia sigurojnë se këto automjete menjëherë largohen nga qarkullimi.
“Edhe përkundër tragjedisë me autobusin në Bullgari ku humbën jetën mbi dyzet persona dhe asaj në Llaskarcë ku patëm persona që humbën jetët, edhe më tej në nëpër rrugët e vendit tonë vazhdojnë të qarkullojnë automjete transportuese si autobusë, furgonë dhe taksi, të cilat, përveç që janë pa licencë për punë janë edhe me defekte të mëdha teknike, thonë të dhënat nga SPB”.
Brenda tetë muajsh, Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, departamenti për siguri në komunikacion, nga kontrollet e bëra, ka hasur në 174 automjete të transportit publik, me defekte, pjesa dërmuese pa frena, edhe atë 68 në Tetovë dhe 106 në Gostivar, ndërsa 39 transportues, veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në të zezë, pra pa liçencë për transport publik.
“Në rast të konstatimit të parregullsive teknike, vetura hiqet menjëherë nga trafiku, duke i marrë targat me vërtetim përkatës, ndërsa shoferit i përgatitet gjobë adekuate në bazë të nenit 44 të Ligjit për transport. Dhe nëse automjeti është në pronë të personit juridik përgatitet parashtresë përkatëse edhe kundër personit juridik dhe përgjegjësit të kompanisë”, tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB Tetovë.
Gjithashtu brenda qytetit të Tetovës, rreth 70 – 80 për qind e transportuesve publik, janë pa licencë pune, thonë nga Inspektorati i transportit publik në Komunën e Tetovës.
“Numri i përgjithshëm i kontrolleve, mesatarisht në muaj kemi 20-30 kontrolle. Nga këto kontrolle, vetëm 20 deri 30 për qind janë të pajisur me dokumentacion dhe kanë licenca apo dokumentacion sipas Ligjit”, u shpreh Bujamin Fejzullahu, Inspektor i transportit i komunës së Tetovës.
Sipas Inspektoratit, por edhe Policisë së Tetovës, puna në të zezë mund të çrrënjoset nëse transportin publik mes komunave në rajonin e Pollogut e organizojnë vetë komunat. Ndryshe, përveç parregullsive, në rrugët tona qarkullojnë automjete të transportit publik që janë edhe mbi 30 vjet të vjetra./Alsat.mk/