Dy institucionet më të rëndësishme për luftimin e krimit financiar dhe korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, Prokuroria për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe Policia Financiare kanë mbetur pa drejtues, pas një konflikti prej më shumë se një muaji lidhur me punën e tyre.
Prokuroria kundër krimit dhe korrupsionit, që drejtohej nga Vilma Ruskovska, kishte urdhëruar bastisjen e zyrës së drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, nën pretendimet se ai nuk kishte vepruar gjatë një denoncimi të bërë nga një qytetar për një objekt afarist. Ky rast nuk ishte bërë publik për shkak të hetimeve.
Prokuroria Republikane, si institucioni më i lartë në shtet për ndjekje penale, më 16 gusht ka pezulluar nga puna prokuroren Vilma Ruskovska, pasi ka konstatuar se ajo dhe dy prokurorë që kanë kryer bastisjet në zyrën e Muaremit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, pasi nuk kanë pasur dëshmi të mjaftueshme e as leje adekuate për bastisje.
Pas pezullimit nga puna të Ruskovskës, Arafat Muaremi ka dhënë dorëheqje nga kreu i Policisë Financiare.
Në njoftimin për dorëheqjen, ai tha se e ka marrë këtë vendim “me qëllim që në opinion të mos ekzistojë as dyshimi më i vogël për integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e procedurës e cila duhet të udhëhiqet për rastin e bastisjes së zyrave, por edhe për suspendimin e prokurores Ruskovska”, që sipas tij është “mesazh i qartë se ligjet duhet t’i respektojnë të gjithë dhe se keqpërdorimi i funksioneve për qëllime personale është i patolerueshëm”.
Ndërkaq, Ruskovska, ka njoftuar për mediat për suspendimin e saj, duke ngritur dyshime se në këtë vendim ka pasur “përzierje të politikës” dhe presione nga “zyrtari i emëruar nga Qeveria, Arafat Muaremi”.
Ajo ka pyetur se “pse po sulmohen vetëm prokurorët që po udhëheqin lëndët kundër ish-sekretarëve të Qeverisë, Dragi Rashtovski, Muhamet Zeqiri – që dyshohen për disa marrëveshje pa tenderë – ndaj ish-kryeprokurores speciale, Katica Janeva, dhe ish-deputetes socialdemokrate, Frosina Remenski”.
Prokurorja e suspenduar, Ruskovska ka thënë se ka edhe lëndë të tjera ndaj ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve aktualë që janë në procedura para-hetimore dhe hetimore.
“Politikanët nuk duhet të komentojnë procedurat gjyqësore. Këtë ata kurrsesi nuk po e kuptojnë”, tha Ruskovska në një intervistë për Rrjetin Ballkanik të Raportimit Hulumtues (BIRN), teksa komentoi një deklaratë të ish-kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, i cili tha se “nuk beson në Ruskovskën për rastin me ish-sekretarin e Qeverisë, Dragi Rashkovski”, i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Zëvendëskryeministri maqedonas, Bojan Mariçiq, më 17 gusht u pyet nga gazetarët që të komentojë lidhur me suspendimin e Ruskovskës. Por, ai më shumë u përqendrua në nevojën e caktimit të pasardhësit të saj nga prokurori republikan, Lubomir Joveski.
“Për ne si Qeveri është me rëndësi që gjithçka të kryhet në kuadër të institucioneve dhe të dëshmojnë se kemi mekanizma të përballemi me të gjitha problemet, përfshirë edhe ato brenda institucioneve, siç është në këtë rast Prokuroria për luftimin e krimit të organizuar”, deklaroi Mariçiq duke mohuar ndërhyrjen e Policisë në punën e organeve gjyqësore.
Por, njohësit e çështjeve juridike thonë për Radion Evropa e Lirë se konflikti mes dy institucioneve ka rrënuar imazhin, që sipas tyre veçse ka qenë i dëmtuar të pushtetit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut.
“E gjithë kjo do të reflektohet negativisht në besimin në institucionet, mes atyre që janë të angazhuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pasojat do të jenë serioze pasi tashmë kemi procedura disiplinore. Presion do të ketë edhe ndaj anëtarëve tjerë të Këshillit të prokurorëve, të cilët duhet të vendosin për këtë rast”, thotë Vlladimir Tukexhiq, avokat dhe ish-gjykatës.
Temelko Ristevski, profesor i së Drejtës Kushtetuese, thotë për Radion Evropa e Lirë se politika duhet të heqë dorë nga ndërhyrja në gjyqësor. Sipas tij, kjo është mundësia e vetme që të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
“Politika në asnjë rast nuk duhet të përzihet në punën e organeve të drejtësisë. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, pasi vetëm në këtë mënyrë ai mund të jetë në shërbim të qytetarëve dhe të drejtësisë. Ndërhyrja e politikës dëmton rëndë gjyqësorin, si në ndarjen e drejtësisë ashtu edhe në efikasitetin e saj”, thotë Ristevski.
Lidhur me rastin mes prokurores së suspenduar, Vilma Ruskovska, dhe drejtorit të dorëhequr të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, janë prononcuar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian, pas kërkesës së Ruskovskës që të hetojnë rastin për të ardhura të e vërteta, sipas saj, “se kush lufton krimin dhe kush e pengon atë”.
Si nga Ambasada amerikane ashtu edhe nga Zyra e BE-së kanë thënë se rasti duhet të zgjidhet nga institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut.(REL)