Në kulmin e rritjes së paprecedentë të çmimeve të naftës, pas luftës në Ukrainë, qeveria shqiptare mori kontrollin për çmimet tavan të naftës nëpërmjet krijimit të një bordi të posaçëm.
Po javët e fundit vendimet e bordit po shkojnë në favor të kompanive të naftës më shumë se sa të qytetareve, pasi çmimet në bursa po bien, ndërkohë që në vendin tonë rriten.
“Global Price Indeks” e renditi Shqipërinë me çmimet më të larta të naftës në rang global së fundmi. Shqipëria u rendit e 14 -ta në botë për çmimin e një litër diezël duke lënë pas edhe edhe vend ete zhvilluara si, Singapori dhe Gjermania. Sipas Global Price Indeks një litër naftë në Shqipëri kushtoi me 1,95 euro me 18 gusht, për shkak se Bordi një ditë më parë mori vendim për rritjen e mëtejshme të çmimit në vend që ta ulte.
Në raportet e mëparshme të Global Price Shqipëria renditej në mesin e 20 vendeve me çmimin më të lartë të naftës në botë, por së fundmi po shkon drejt majës për çmimet më të larta pasi, ulja e çmimeve në bursa nuk po reflektohet me të njëjtën shpejti si në vendet e tjera.
Një fuçi naftë po tregtohet sot në bursa me 94 USD nga më shumë nga 100 dollarë që ishte një javë më parë dhe 110 dollarë në fillim të gushtit.
Edhe treguesi referencë i naftës së përpunuar, Platts, të cilin e importojnë kompanitë në Shqipëri ka zbritur në 900 dollarë/ton, nga 930 dollarë për ton që ishte një javë më parë.
Nga 12 marsi çmimet tavan me pakicë dhe shumicë që tregtohen në vend vendosen nga Bordi i Transparencës i krijuar nga qeveria, bazuar në një formulë që merrte në konsideratë çmimin e blerjes në bursa, taksat, kostot operative, marzhin e fitimit, kursin e këmbimit të dollarit (monedha me të cilën blihet nafta në bursa).
Historiku i këtyre pesë muajve e gjysmë që çmimet vendosen nga Bordi ka treguar se mekanizimi i krijuar nga qeveria për të kontrolluar çmimet dhe për të bërë transparencë, nuk ka arritur të kryejë asnjë nga këto funksione. /Monitor/