Hakmarrje apo larje hesapesh e konsideron policia italiane e rajonit Pisa, krimin e ndodhur mbrëmë ku gjeti vdekjen një djalë shqiptar.
Viktima është 36 vjeç, qytetar shqiptar që jeton prej vitesh në Itali, raporton noa.al duke cituar policinë vendase e cila nuk publikoi identitetin e të ndjerit.
Raportohet se viktima, tetë vjet më parë ka vrarë një person në Shqipëri, por detaje të tjera nuk bëhen të ditura nga policia italiane. Më vonë, shqiptari ka shkuar në Itali dhe ka qëndruar në rajonin e Toskanës.
Por mbrëmjen e djeshme ora 19.30, ndërsa po udhëtonte me mjetin e tij me targa gjermane në zonën e Sasso në Pisa, dy persona të maskuar hapën zjarr dhe e vranë.
Kryetari i bashkisë Castelnuovo Val di Cecina, Alberto Ferrini, në një komunikatë tha se viktima nuk ishte banor i zonës dhe dha të dhëna të tjera që noa.al jua zbardh më poshtë:
“Me të në makinë ndodhej dhe një mik i viktimës. Ai nuk pësoi lëndime. Dy autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.
Në këto momente, personi që ndodhej në makinë, ka marrë timonin dhe me 36 vjeçarin që ishte qëlluar, ka përshkuar rrugën Lagoni dhe është ndalur pranë një lokali 1 km larg vendit të të shtënave. Aty, i plagosuri ka dhënë shpirt.
Në këtë kohë kanë mbërritur forcat policore”.
Ferrini deklaroi se për shkak të natyrës delikate të rrethanave të çështjes, nuk do të japë hollësi të tjera. /noa.al