Ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe Energjisë fton kompani të interesuara për kërkimin dhe zbulimin e zonave të reja minerare në vend.
Ministria ka nxjerrë katër zona minerare me interes për kërkim dhe zbulim dhe ofertat e kompanive të interesuara mund të dorëzohen deri më 6 shtator.
Ajo që bie në sy në listën e katër zonave janë dy prej tyre që kanë në objekt kërkim dhe zbulimin e arit ku një prej tyre ndodhet në Librazhd dhe tjetra në Mirditë.
Dy zonat e tjera minerare jepen për zbulimin e bakrit në Mirditë dhe për shfrytëzimin e mineralit ranor pllakor në Skrapar.
Ministria kërkon që ofertuesit të paraqesin vetëm një ofertë për një zonë konkurruese, ku të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurë konkurruese dhe detyrimet që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese.
Shpenzimet e kryera për të marrë pjesë në procedurën konkurruese nuk rimbursohen nga Autoriteti Kontraktues, thotë njoftimi.