Ministria e Drejtësisë ka njoftuar edhe zyrtarisht partitë politike dhe palët e përfshira që të caktojnë përfaqësues për përgatitjen e kodit të ri zgjedhor. Këtë e kanë konfirmuar për TV Klan Maqedoni nga ministria, prej ku thanë se presin që deri në fund të muajit maj, të dorëzohen propozimet dhe të formohet grupi i punës, me të cilin do të kryesojë ekspert jopartiak.
“Ministria e Drejtësisë më 10.05.2022 u ka dërguar një letër me shkrim të gjitha partive politike, organizatave joqeveritare dhe shoqatave qytetare të delegojnë përfaqësue të tyre të cilët do të jenë pjesë e grupit punues i cili duhet të përgatisë kodin e ri zgjedhor” – thonë nga Ministria e Drejtësisë
Nga kjo ministri më tej kanë thënë se, në kodin e ri zgjedhor do të përfshihen edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
“Presim që më së voni deri në fund të muajit të na dorëzohen propozimet nga të gjitha palët e përfshira, pas çka edhe zyrtarisht do të formohet grupi i ri i punës i cili do të duhet të përgatisë plan për punë dhe aktivitete të mëtejme, me qëllim që të miratohet kod i ri zgjedhor në pajtueshmëri me rekomandimet e OSBE/ODIHR” – thonë nga Ministria e Drejtësisë
Në raportin final të përgatitur pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend, OSBE/ODIHR theksoi nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse përpara zgjedhjeve të ardhshme, për shkak të mangësive të vazhdueshme dhe paqëndrueshmërisë në kornizën ligjore. Në raport, theksohen 32 rekomandime që vendi duhet t’i zbatojë, për përmirësimin e organizimit të zgjedhjeve dhe për të rritur transparencën dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Nga OSBE/ODIHR po ashtu, rekomanduan që të rishqyrtohet edhe rregullorja e reklamave të paguara politike si dhe të zbatohen reformat në lidhje me servisin publik. /KlanMacedonia/