LajmeMaqedoni

Ekspertët ekonomik vlerësojnë se nuk është koha për vendosjen e tatimeve shtesë

Një pjesë e afaristëve por edhe e ekspertëve ekonomik vlerësojnë se nuk është momenti më i mirë i mundshëm për vendosjen e tatimeve shtesë për biznesin dhe qytetarët që pritet të sjellin mbi 50 milion euro në arkën e shtetit nga viti i ardhshëm. Bile shtojnë se edhe shkallët e ulëta tatimore, nuk janë shkak për të ardhurat më të vogla në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa vlerësojnë se problem kryesor është niveli i lartë i ekonomisë në të zezë. Vlerësohet se nuk mund të kemi tatime evropiane dhe infrastrukturë dhe paga që lënë për të dëshiruar të përcjellë me nivelin e lartë të korrupsionit. Në favor të ndryshimeve tatimore, ekzekutivi thekson se në vitin 2008, në Bashkimin Evropian, 38 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto ka ardhura nga tatimet dhe kontributet për dallim prej Maqedonisë me 28 për qind, ndërsa tani ky nivel ka arritur në 16 për qind.

Eksperti ekonomik Arben Halili vlerëson se nuk qëndron aspak krahasimi i pushtetit që niveli i pagesës së tatimeve në vend të krahasohet me shtetet evropiane.

“Si shtet që kemi korrupsion tejet të lartë, me një infrastrukturë shumë të dobët, nuk mund të pritet që të rriten të ardhurat nga tatimet për të ngarkuar bizneset dhe qytetarët me qëllim që të arrijmë shtetet evropiane në aspektin e tatimeve. Rritja e tatimeve duhet të synojë bizneset me profite të mëdha siç janë bankat”, thekson Halili. Sipas tij, nëse qeveria synon të arrijë qëllimet e saja nevojitet që të zvogëlojë dhe jo të rrisë numrin e të punësuarve në administratë.

Edhe përfaqësuesit e hotelierëve që ishin ndër sektorët më të goditur nga pandemia në vitet e fundit, shprehen se tani nuk është koha për reforma tatimore, për shkak se sipas tyre kriza akoma po ndjehet fuqishëm në këtë sektor, përderisa reformat e tilla vetëm do të rrisin ekonominë informale në hoteleri dhe turizëm me përpjekjet për fshehjen e tatimeve sidomos tek firmave më të vogla, apo edhe vendosjen e drynit në lloje të ndryshme të kësaj veprimtarie. “Si sektor për çdo ditë kemi shtrenjtime të ndryshme në çdo aspekt në këtë degë ekonomike, akoma nuk kemi ngritur kokën nga telashet e fundit me pandeminë, dhe sikur vetëm mungojnë këto ndryshime ligjore që të përkeqësohet edhe më tej situata”, thotë numri një i Shoqatës së Hotelierëve të Maqedonisë, Krsto Bllazhevski. Sipas tij reformat tatimore duhet të presin një rikuperim më të madh të ekonomisë vendore, apo kohë më të mira.

Nga ana tjetër ministri i Financave Fatmir Besimi thotë se për momentin ky është vetëm një propozim koncept i reformës tatimore që do të definohet pas përfundimit të debatit publik dhe pasi t’u prezantohet të gjitha palëve të interesuara në shoqëri. “E gjithë kjo nevojitet që reforma tatimore të jetë e qëndrueshme. Reforma tatimore nuk është zgjidhje që duhet të shikohet si nevojë për të siguruar më shumë mjete në buxhet, por si reformë që nënkupton arritje të rritjes së qëndrueshme ekonomike. Prandaj, ajo është si rrjedhojë e Ligjit të ri për Buxhetet, ku u përcaktuan rregullat fiskale lidhur me mënyrën sesi do të shpenzohen mjetet e qytetarëve”, thotë ministri Besimi. Sipas tij, akoma nuk ka një zgjidhje përfundimtare, apo akoma nuk ka rritje të tatimeve. Koncepti i reformës tatimore i referohet rritjes së nivelit të përfshirjes së të hyrave që janë lëndë e tatimimit, përmes rishikimit të trajtimit preferencial të kategorive të caktuara të burimeve të të hyrave, të investimeve dhe kategorive të subjekteve afariste, si dhe vendosjes së më shumë obliguesve tatimorë në sistemin tatimor përmes zvogëlimit të ekonomisë joformale.

Debati publik për Konceptin e reformës tatimore, filloi në fillim të këtij muaji dhe do të zgjasë deri në mes të muajit shtator, ku si rezultat pritet të ketë propozim zgjidhje ligjore. Reforma do të zbatohet gradualisht, në periudhën kohore nga viti 2023 deri në vitin 2025.

Koncepti i reformave tatimore bazohet në pesë prioritet e definuara në Strategjinë e reformave të sistemit tatimor (2021-2025), të cilat i referohen: drejtësisë më të madhe tatimore, efikasitet dhe efektiviteti më të madh të sistemit tatimor për arkëtim më të mirë të të hyrave, rritjes së transparencës tatimore, cilësisë më të mirë të shërbimeve dhe afirmimit të politikës tatimore ekologjike. Aktivitetet e parashikuara në Planin aksional të Ministrisë së Financave, bazohen në përkrahjen dhe stimulimin e formalizimit të aktiviteteve joformale përmes rritjes së përfitimeve nga hyrja në ekonominë formale. Theks i veçantë, i kushtohet edhe përmirësimit të efikasitetit të inspektimeve dhe mbikëqyrjes për të siguruar barazi më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Masat i referohen edhe modernizimit të proceseve, siç janë tregtia elektronike, e cila po merr hov dhe po krijon konkurrencë jo lojale midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si shtytës kryesor i zhvillimit ekonomik. Prioritetet janë: përmirësimi i procesit të matjes, monitorimi dhe detektimi i ekonomisë gri, stimulimi i aktiviteteve për formalizimin e ekonomisë gri, ndërgjegjësimi për ekonominë gri dhe forcimi i moralit tatimor, përforcimi i shërbimeve inspektuese, përmirësimi i rregullativës ligjore dhe zbatimi i masave në pjesën e Drejtorisë Doganore, ku do të përfshihen produktet e tregtisë elektronike. /Kohamk/

Show More

Related Articles

Back to top button