Me 50 vota “për” është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi të drejtuar nga Dritan Abazoviq. Mocioni ishte iniciuar nga partia e Millo Gjukanoviqit, DPS, pasi Abazoviq kishte nënshkruar Marrëveshjen Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Nisma për t’i hequr votëbesimin qeverisë u kërkua nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive në koalicinonin qeveritar dhe partive të tjera, për shkak, siç thonë ata, të ndalimit të Malit të Zi në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian dhe shtimin e tensioneve ndëretnike në vend.
Seanca e cila nisi paraditen e sotme, ka përfunduar në orët e vona, ku kishte debat në mes deputetëve të pozitës dhe iniciuesit e mocionit të mosbesimit të drejtuar nga deputetët e Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Millo Gjukanoviq, mbështetur nga pesë parti.
Abazoviq në seancën e Kuvendit ka thënë se gjatë 100 ditëve të punës së tij, janë bërë shumë punë për të cilat koha do të tregojë.
Ai gjatë ditës është pyetur nëse do të del si kryeministër nga seanca e sotme.
“Unë do të dal si fitimtar, pozitat nuk kanë rëndësi por është e rëndësishme vizioni dhe puna e ndershme për vendin”, ka thënë ai.
Abazoviq ishte zgjedhur kryeministër i Malit të Zi më 28 prill.
Vetëm tre muaj e gjysmë qëndroi në post qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviç. Në rrëzimin e qeverisë malazeze luajti rol qëndrimi i Abazoviç ndaj kishës ortodokse serbe.
Ekologjisti liberal Abazoviç kishte zemëruar dy javë më parë presidentin e vendit, sepse kishte nënshkruar një marrëveshje të kontestuar me kishën ortodokse serbe.
Kjo marrëveshje është mjaft e debatuar në Malin e Zi, sepse i jep të drejta të veçanta, kishës ortodokse serbe të kontrolluar nga Beogradi.
Mali i Zi shpalli pavarësinë në vitin 2006, atëherë në ujdi me shtetin serb. Sot qeveria në Beograd përpiqet përmes kishës dhe partive lokale proserbe e organizatave të tjera të ushtrojë ndikim në Malin e Zi, vend anëtar i NATO-s nga viti 2017.
36-vjeçari Abazoviç e mori postin më 28 prill, pasi qeveria e mëparshme proserbe u rrëzua nga parlamenti. Abazoviç ashtu si edhe presidenti Gjukanoviç konsiderohen me orientim perëndimor.
Qeveria e Abazoviçit ishte një koalicion shumë partiak i pakicës me partinë e tij URA, Të Gjelbrit, socialdemokratët, partitë etinke të shqiptarëve dhe boshnjakëve si edhe një partie proserbe.
Abazoviç do të vazhdojë të drejtojë qeverinë në detyrë, deri sa të zgjidhet kryeministri i ri./DW/.