Këtë sezon veror Ohri dhe Struga përballen me mungesë të madhe të personelit nëpër hotele dhe objektet gastronomike. Vendet e punës plotësohen nga njerëz pa përvojë, kryesisht gjimnazistë apo studentë. Por nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe pronarët nuk fillojnë të japin paga më të larta, vitin e ardhshëm ky problem do të përshkallëzohet, paralajmërojnë nga Fakulteti i turizmit.
“Këtë vit u hapën kufijtë dhe sërish Kroacia na mori gjithë stafin, ku u jepet pagë mujore prej 1200 euro me akomodim dhe ushqim. Fatkeqësisht, hotelierët tanë ende nuk janë të vetëdijshëm se duhet të rritet rroga në gastronomi…. Nuk e di se në bazë të cilit plan biznesi e bënë mëditjen të jetë ende 500 denarë. Nuk ekziston askund në botë”, tha Angella Paskall- profesoreshë në Fakultetin e turizmit.
Paskall thotë se duhet të ndërmerren hapa konkret për mbajtjen dhe kthimin e stafit vendas.
“…Le të mendojnë se rrogat nuk mund të jenë 300-400 euro. Më e vogla duhet të jetë 600 euro sepse nuk do të paguajnë akomodim, nuk do të paguajnë ushqim dhe do të qëndronin në Maqedoni…”, shtoi ajo.
Hotelierët thonë se problemi i mungesës së personelit është problem për të gjithë rajonin, por mohojnë se jepen paga të ulëta.
“…Përkundrazi, biznesi i hotelerisë për momentin, këto 3-4 vitet e fundit, është paguar tre herë më shumë në çdo aspekt në paga, në orar. Duke ditur rrezikun e daljes së tyre jashtë, ne donim ose jo i rritëm pagat”, deklaroi Musa Rashid – hotelier.
Ndryshe, në mungesë të stafit vendor, Shoqata e hotelerisë dhe gastronomisë këtë verë ka kërkuar nga shteti që të lehtësojë ardhjen e punëtorëve nga Turqia. Vlerësohet se në këtë sektor në Maqedoni mungojnë rreth 30 mijë punëtorë./Alsat.mk/