Thatësia me të cilën është përballur Evropa muajt e fundit ka tharë rrugët kryesore ujore të kontinentit, duke zbuluar edhe relikte të ndryshme si luftanije të Luftës së Dytë Botërore.
Këtë javë, nivelet e ulëta të ujit në pjesën serbe të lumit Danub ekspozuan një varrezë të anijeve luftarake gjermane të fundosura dhe të mbushura me eksplozivë dhe municione, shkruan The Washington Post.
Anijet, të cilat dolën pranë qytetit portual të Prahovës, ishin pjesë e një flote naziste të Detit të Zi që u përmbyt në vitin 1944 ndërsa po ikte nga forcat sovjetike. Ditëve në vijim pritet që më shumë anije të shpërfaqen në brigjet e rërës së lumit, të ngarkuara me mjete të pashpërthyera.
Mediat lokale serbe raportuan se rreth 10 mijë pajisje shpërthyese u gjetën nën ujë.
Rrënojat e tjera janë shfaqur gjithashtu nëpër Evropë ndërsa ujërat tërhiqen nga thatësira.
Në korrik, një urë romake e ndërtuar gjatë shekullit të parë p.e.s. u zbulua në lumin Tiber dhe në gusht, një fshat që ishte përmbytur në vitin 1963 për të ndërtuar një digë u shfaq nga rezervuari i Belesarit në Spanjë.
Fshati është një nga disa vende të zhytura nën rezervuarë në Spanjë. Një qytet fantazmë që ishte përmbytur për të ndërtuar një digë në kufirin e Spanjës me Portugalinë u shfaq në shkurt, duke zbuluar shtëpi me dritare dhe mure ende të paprekura.
Thatësira ka kërcënuar rrugët e transportit detar, furnizimin me ushqime dhe energji elektrike në Evropë këtë verë. Studiuesit e Bashkimit Evropian thanë në fillim të këtij muaji se gati gjysma e kontinentit është në kushte “paralajmëruese”, të cilat nënkuptojnë një thatësirë të madhe dhe një deficit të madh të lagështisë së tokës.
Në fillim të kësaj jave, vala e pandërprerë e të nxehtit që e la gadishullin Iberik më të thatë se çdo herë në 1200 vitet e fundit gjithashtu ekspozoi dhjetëra gurë prehistorikë në një rezervuar në Spanjën qendrore.