Shkollat në Kosovë do të vazhdojnë ta kenë në fuqi ndalesën e arsimimit në bankat e tyre për nxënëset që bartin shaminë sipas mënyrës së fesë islame, raporton Anadolu Agency (AA).
Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të mbajtur nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, derisa foli për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor.
Ajo tha se fushata e cila bënte thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (UA) në favor të lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, ka qenë e paqëndrueshme.
“Gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit, nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është i përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike”, theksoi Nagavci.
Ministrja tha se UA-së së cilës i janë referuar grupi iniciator i ndryshimit të saj, ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta, por siç tha ajo, “e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai Udhëzim të mbetet në fuqi dhe ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik”.
“Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm se si po e rregullojmë në aspektin formal-ligjor. Ndërsa sa i përket të drejtës për shkollim, ajo është e garantuar dhe askujt nuk i mohohet e drejta për të marrë pjesë në shkollat tona”, përfundoi Nagavci lidhur me këtë çështje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar gjatë këtij muaji qëndrimin e tij pro mbajtjes së shamisë për vajzat nga mosha 16-vjeçare.
“Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, tha Kurti.
Kjo deklaratë e Kurtit erdhi pikërisht në kohën kur në Kosovë nisi një fushatë në rrjetet sociale që bën thirrje në ndryshimin e Udhëzimit Administrativ të MASHTI-t që ndalon mësim-nxënien me uniformë fetare në shkolla.
Thirrja “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për Shaminë” e cila u nis nga dy të rinj, Durim Berisha dhe Liridon Kurti, i është dërguar MASHTI-it në formë letër-thirrjeje për veprim. Pas kësaj, mijëra thirrje të njëjta me këtë shkurtesë “pushtuan” për disa ditë me radhë profilet dhe postimet e udhëheqësve të lartë të institucioneve shtetërore.
Pas fushatës u hap edhe peticion për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ të hyrë në fuqi nga viti 2014 i cili përcakton se “Ndalohet… veshja e uniformës fetare”. Peticionin e nënshkruan më shumë se 20 mijë persona për 48 orë, ndërsa 45 për qind e nënshkruesve ishin nga gjinia femërore.
Autori i kësaj iniciative, Durim Berisha, pas konfernecës së sotme të ministres Nagavci, ka thënë se ende “asgjë nuk ka marrë fund”. Në një shkrim në rrjetet sociale ai theksoi se ndryshimin e UA-së do ta kërkojnë tani përmes rrugëve gjyqësore.
“Me gjakftohtësi e duke ndjekur rrugët ligjore, kjo çështje do të zgjidhet”, shkroi Berisha.