LajmeRajon

Shqipëria po heton tre të dyshuarit për sulmin në Gramsh

Autoritetet shqiptare po i hetojnë dy shtetasit rusë dhe një ukrainas të arrestuar në uzinën ushtarake të Gramshit për spiunazh.

Tre të dyshuarit janë duke u mbajtur në arrest për veprat penale “goditje për shkak të detyrës”, “dhënie e informatave sekrete” dhe “sigurim i informatave”.

Policia dhe Prokuroria në Elbasan janë duke i hetuar provat materiale të sekuestruara nga të dyshuarit, përfshirë automjetin me të cilin lëviznin, laptopë, dronë dhe aparate celulare.

Dy ushtarë shqiptarë, roje të fabrikës së prodhimit të armëve në qytezën e Gramshit, janë sulmuar të shtunën nga dy shtetas rusë dhe një ukrainas.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, “tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë”.

Pas kritikave të shumta ndaj forcave të sigurisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mbrojti autoritetet shtetërore duke thënë se “institucionet kanë funksionuar siç duhet”.

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, u ka bërë thirrje autoriteteve për zbardhjen e ngjarjes dhe parandalimin e situatave që cenojnë sigurinë kombëtare.

“Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjvënëse, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, ka thënë Begaj.

Edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, tha se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Shqipërinë, “teksa autoritetet hetojnë plotësisht për të përcaktuar faktet dhe për të vënë para përgjegjësisë autorët”.

Tre të dyshuarit për spiunazh, në dëshmitë e tyre kanë thënë se janë fotografë dhe se kanë blog ku postojnë kryesisht foto dhe video të ish-bazave ushtarake të Bashkimit Sovjetik.

Ata kanë thënë se fotografojnë kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.

Gjithashtu kanë treguar se kanë fotografuar bunkerë dhe tunele të nëndheshëm, si dhe vende të uzinës, territore të braktisura.

Uzina e Gramshit është një ndër tre uzinat ushtarake të Forcave të Armatosura dhe që është përfshirë në procesin e demontimit dhe shkatërrimit të municioneve të tepërta.

Show More

Related Articles

Back to top button